
Raporti: Luljeta Beselica
Ditëve të ardhshme pritet që Kosovën ta vizitojë edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të shtetit, Derek Chollet. Ai në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se Kosovën dhe Serbinë i presin vendime të vështira. Ndërkohë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se Serbia është e interesuar të bllokojë dialogun, e t’i arrijë qëllimet nëpërmjet bandave kriminale.
Vizitat e zyrtarëve të lartë amerikanë e evropianë do të shpeshtohen në Kosovë, ditëve në vazhdim.
Pas vizitës në Prishtinë, të të dërguarit të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, së shpejti vendin do ta vizitojnë edhe emisarë të tjerë, përfshirë edhe këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Por, para se të vijë në Kosovë, ai është deklaruar rreth procesit të dialogut me Serbinë, si dhe hapat që sipas tij, duhet të ndjekin të dyja vendet për të arritur te një marrëveshje finale.
Chollet në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime të vështira dhe se nga liderët e tyre kërkohet kurajo, në mënyrë që, sipas tij, të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të shteteve të tyre.
Ai ka thënë se propozimi i Bashkimit Evropian për një marrëveshje eventuale është një ide në drejtim të mirë dhe se sipas tij, ky dokument e ka si bazë edhe njohjen e ndërsjellë.
“Shumë tepër se ç’duhej nga energjia jonë është shpenzuar gjatë javëve të fundit për të shmangur përkeqësimin e krizës dhe përshkallëzimin e saj në diçka që askush nuk dëshironte ta shikonte, në dhunë. Në vend të kësaj, energjia diplomatike duhej përqëndruar tek e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë, duhej diskutuar për propozimin për normalizim, që ka paraqitur BE-ja, që do të ketë në bazë njohjen e ndërsjellë. Ky është drejtimi që Kosova dhe Serbia të arrijnë destinacionin e tyre euroatlantik.”
Por, ai ka thënë se për SHBA-në është prioritet krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ndërkohë, gjatë së premtes presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se
Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në dialog, por sipas saj, vendi po përballet me obstruksionet e vazhdueshme të Serbisë.
Në një komunikatë për media të Zyrës së Presidencës, thuhet se Osmani këto komente i ka bërë në taksimin që ka zhvilluar të premten me deputetin britanik David Lammy.
“Interesimi i satelitit të Rusisë, Serbisë, për ta destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor, është më i madh se asnjëherë më parë, për shkak se Serbia është e interesuar të bllokojë suksesin në dialog dhe të arrijë qëllimet e saj me dhunë e nëpërmjet bandave kriminale.”
Ndryshe, pranvera e këtij viti është parë si mundësi për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.
Në kuadër të këtyre përpjekjeve, gjatë janarit pritet që në Kosovë të vijnë emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këshilltari i presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe ai i kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe zyrtarë të tjerë. / Kanal10