Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

KQZ-ja s’njeh dy kryetarët e partisë Guxo

Gazeta10
17 October 2022 - 19:50

Zgjedhja e dy liderëve të partisë GUXO, është konsideruar e jashtëligjshme sipas Zyrëspër Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim të KQZ-s. Liderët e zgjedhur kanë arsyetuar këtë ndryshim pasi kishin dorëzuar materialin zgjedhor në KQZ, duke thënë se ligjërisht përfaqësohet vetëm nga Faton Peci, ndërsa në arenën politike nga të dy. Ndërkaq, KQZ-ja u ka rekomanduar që brenda 45 ditësh të organizohet kuvend i ri. Lidhur me këtë, kjo parti ka heshtur gjatë së hënës.

Raporti: Gentiana Gashi, Kamera: Kanal 10.

Partia Guxo, duhet të guxojë edhe njëherë që të thërras një kuvend tjetër zgjedhor për të caktuar udhëheqësit e këtij subjekti politik.

Kjo pasi që kuvendi i kësaj partie, i 7 shtatorit të këtij viti, po del të jetë zhvilluar jashtë rregullave që përcaktohen në rregulloret e brendshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim e KQZ-së ka gjetur një varg shkeljesh në Kuvendin zgjedhor të kësaj partie.

Gazeta 10, ka siguruar dokumentin e KQZ-së, i cili nuk i njeh dy kryetarët e zgjedhur më 7 shtator të këtij viti, Donika Gërvalla dhe Faton Peci.

Sipas zyrës për regjistrim në KQZ, dy kryetarë të kësaj partie, bie ndesh me rregulloren e tyre.

Zyra vlerëson që ndryshimi i Statutit të partisë politike për të lejuar partinë të ketë më shumë se një Kryetar, është shkelje e Rregullës 01/2013 për Regjistrimin dhe veprimin e partive politike, më saktësisht e çdo neni ku përmendet Kryetari si një person i vetëm. Pra kjo Rregullë në asnjë nen nuk e thekson mundësinë që një parti politike e regjistruar mund të ketë më shumë se një kryetar”, thuhet në raport mbi punën e Kuvendit Zgjedhor të Partisë Politike GUXO.

Përpos kësaj, sipas raportit, të gjitha dokumentet zyrtare të Zyrës, duke filluar nga ato për përmbushjen e obligimeve të rregullta deri ato zgjedhore, kërkohet nënshkrimi i një kryetari dhe zyra ligjërisht njeh vetëm një kryetar të një partie politike.

Por, këtë veprim, Donika Gërvalla e kishte arsyetuar si dhe krahasuar me disa parti në Gjermani.

Këtë shpjegim ajo e kishte bërë pasi ishte dorëzuar materiali zgjedhor në KQZ, më 13 shtator, duke thënë se ky ndryshim është veprim politik.

“Në formularin për njoftimin e ndryshimeve, në pjesën ku duhet të nënshkruhet kryetari, është nënshkruar Faton Peci. Sipas shpjegimit të përfaqësuesit të partisë politike GUXO, votimi i dy kryetarëve ishte më shumë veprim politik, dhe se në arenën politike GUXO, do të përfaqësohet nga dy kryetarë. Donika Gërvalla Swarchz dhe Faton Peci, të cilët janë votuar në Kuvend ndërsa ligjërisht përfaqësohet vetëm nga Faton Peci”

Në fund, Zyra rekomandon që Statuti legjitim i Guxo të konsiderohet ai me të cilin është regjistruar partia politike.

Zyra për Regjistrimin e Partive Politike të KQZ-së i rekomandon Guxo që brenda 45 ditësh të sigurojë zgjedhjen e një kryetari të vetëm të partisë në përputhje me statutin.

Lidhur me këtë, Kanal10 ka provuar që gjatë ditës të marr një qëndrim nga ky subjekt politik, por as pas shumë tentimeve, askush prej zyrtarëve të saj nuk ka pranuar të flasë./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.