
Kritika të ashpra në drejtim të Kryeministrit Albin Kurti ka hedhur kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, duke deklaruar që ajo që kishin paralajmëruar edhe ndodhi. Kushtet dhe qëndrimet u shkrinë para interesave personale dhe ambicieve për pushtet të Kryeministrit Kurti.
Krasniqi është shprehur se me dakordimin e sotëm Kosova humbi njohjen dhe fitoi asociacionin.
“Tashmë është edhe zyrtarisht evidente se propozimi evropian nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, si kriter kryesor për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe hapjen e perspektivës evropiane për shtetit tonë”, është shprehur Krasniqi.
Krasiqi ka thënë po ashtu se në propozimin evropian nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE.
Tutje Krasniqi ka thënë se Kurti ka injoruar çdo ndihmë e këshillë që ka ardhur nga ne, kokë në vete dhe në kundërshtim me interesat afatgjate të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti, përmes veprimeve dhe politikave të gabuara, degradoi pakthyeshëm procesin e dialogut. Rrjedhimisht, ai mundësoi heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i solli vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër.
“Krahas rritjes enorme të emigrimit si pasojë e keqqeverisjes, Kryeministri Kurti sonte tkurri edhe sovranitetin e shtetit tonë”, ka shkruar në fund Krasniqi./Gazeta10/