
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër për rastin në Spitalin e Pejës, atje ky nga pakujdesia, dyshohet se një foshnje e vdekur është futur në lavatriçe.
Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi ka pyetur se “edhe çka duhet të ndodhë që Qeveria ta marrë seriozisht shëndetësinë?”.
Ai ka hedhur pikëpyetje edhe për faktin se pse është tentuar të fshihet ky rast.
“Edhe çka tjetër duhet me ndodhë në Kosovë, që kjo Qeveri me marrë seriozisht shëndetësinë? Ku është ministri? Ku është drejtori i SHSKUK-së? Pse është tentuar që të fshihet ky rast? Vetëm tri javë më parë një grua u vra në oborrin e një institucioni shëndetësor publik. A i ka mbetur fije morali ndokujt në këtë Qeveri, apo të gjithë shikojnë vetëm postet dhe privilegjet personale? Caktojeni atë ministër sa më shpejtë, Kryeministër e dilni zot pacientëve. Krimi ta ka kapluar sektorin. I shokuar!”, shkroi Krasniqi.
Kujtojmë se nga Prokuroria e Pejës kanë bërë me dije se Prokurorja e rastit është takuar me prindin e foshnjës.
Në lëvizje janë vënë Prokuroria e Krimeve të Rënda si dhe Inspektorati i Shëndetësisë./Gazeta10