Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Krasniqi: Udhëtimi ynë për të realizuar ëndrrat dhe amanetin e dëshmorëve tanë, është ende në fillim

Gazeta10
11 June 2024 - 12:40

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka shkruar në Facebook për organizimin e mbrëmshëm në nderë të 25 vjetorit të çlirimit.

Krasniqi ndër të tjera ka thënë se udhëtimi ynë për të realizuar ëndërrat dhe amanetin e dëshmorëve është ende në fillim, tek sa ka përmendur edhe mungesën e Thaçit , Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

E plotë:

Mbrëmë, mes bukurisë së qetë të Marinës së Skenderajt, historia jonë e lavdishme dhe ëndrrat e së ardhmes u bënë bashkë në një simfoni nderimi, kujtimi dhe feste.

Teksa u mblodhëm për të shënuar 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, në vendin ku prehen përjetësisht më të merituarit e lirisë tonë – dëshmorët tanë, emocionet ishin të shumta.

Simboli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mes të skenës së ngritur me shije dhe elegancë, bënte që secili zë që ngjitej aty – të dukej sikur vinte nga vetë shpirti i kombit tonë.

Nga meloditë emocionuese e deri te interpretimet që preknin zemrën, çdo moment ishte i mbushur me thelbin e rrugëtimit tonë kolektiv.

Nuk kishin si të mungonin, megjithëse padrejtësisht të zbrazëta, karriget e rezervuara pranë bashkëshorteve të tyre, për heronjët tanë të luftës dhe paqes – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Në atë hapësirë të shenjtë, mbrëmë kumboi refreni i përjetshëm i lirisë, një dëshmi e guximit dhe shpirtit të paepur njerëzor që nuk njeh kufi.

Derisa i dhamë lamtumirën natës, ishte mëse e natyrshme t’ia rikujtojmë vetes se e kemi për obligim që të mbartim pishtarin e lirisë të ndezur në zemrat tona, të vetëdijshëm se udhëtimi ynë është larg përfundimit.

Në fakt, udhëtimi ynë për të realizuar ëndrrat dhe amanetin e dëshmorëve tanë, është ende në fillim.

Faleminderit organizatorëve, posaçërisht mikut tonë amerikan, Benito Mares, për këtë koncert të mrekullueshëm.

Lavdi të përjetshme dëshmorëve të lirisë

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.