Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Krasniqi viziton familjet e krerëve të UÇK-së, thotë se ata ëndërr e kishin Kosovën

Gazeta10
05 November 2022 - 20:41

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar familjet e krerëve të UÇK-së që gjenden në Hagë, raporton Gazeta10.

Kjo vizitë është bërë sot kur bëhen dy vjet nga dërgimi i tyre në Hagë ku po mbahen në paraburgim nën akuza për krime lufte.

Krasniqi ka thënë se personalitetet si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, mund t’i arrestosh por nuk mund të ua mohosh prezencën.

Ai ka thënë se ata ëndërr e kishin Kosovën dhe se e kemi obligim që ta vazhdojmë ëndrrën e tyre.

“Dielli do të lind përsëri”, ka shkruar në fund Krasniqi.

Këtu keni postimin e plotë:

“Janë disa personalitete, të ralla gjatë historisë, emri dhe veprimtaria e të cilëve e tejkalon të zakonshmen. Të tillët, mund edhe t’i burgosësh, por s’mund t’ua mohosh prezencën. Të tillë janë edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Në 54, 55, 71 dhe 51 vitet e tyre të deritashme, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, më së paku u kanë takuar vetes dhe familjes. Rruga e tyre deri te liria, me fatin e një populli mbi supe, ka kaluar nëpër luginën e vdekjes më tepër se gjysmën e jetës së tyre.

Megjithëse për familjet e tyre nuk ka qenë asnjëherë e lehtë, e nuk është as sot, e di dhe jam i bindur që nuk do të ndërronin asnjë hap të veprimtarisë së familjarëve të tyre heronj. Sot, të gjithë, më qartë se kurrë, e kuptojmë se ata ishin të zgjedhur. Dhe, si të tillë, kishin një mision, një ëndërr, një lutje e amanet gjeneratash për ta jetësuar: Kosovën!

Sot, është obligim i ynë që, deri kur t’i kemi përsëri fizikisht në mesin tonë, ta vazhdojmë ëndrrën dhe punën për shtetndërtim, fuqizim dhe integrim. Ky është respekti dhe nderimi më i madh që mund t’u bëjmë emrave të tyre, sakrificës së tyre, familjeve të tyre. Këtë ua thash edhe familjarëve të tyre të respektuar gjatë vizitave të sotme te ta.

Dielli do të lind përsëri!”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.