
Raporti: Kanal10
Po vazhdon të rritet edhe më tej numri i viktimave si pasojë e tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e së hënës. Rreth 12 mijë persona kanë mbetur të vdekur në këto dy shtete, derisa ekipet e kërkim-shpëtimit po kërkojnë të mbijetuarit nën rrënojat e ndërtesave. Bashkimi Evropian ka ofruar dërgimin e mbi 1.200 punëtorëve të shpëtimit, përfshirë dy ekipe mjekësore, derisa ndihmë kanë ofruar edhe shumë shtete të botës.
Rreth 12 mijë ka arritur numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri, si pasojë e tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit.
Sipas zyrtarëve turq 9.057 persona janë konfirmuar se kanë vdekur në Turqi, ndërsa 2.662 në Siri.
Megjithatë, ky numër i viktimave pritet të rritet, teksa ekipet e shpëtimit kanë vazhduar të kërkojnë për të mbijetuarit e këtyre tërmeteve.
Gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit, ekipet janë penguar nga temperaturat e ulëta dhe qindra pasgoditje, të cilat e kanë bërë të rrezikshme punën në strukturat e paqëndrueshme.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e pranoi se ka pasur probleme në përgjigjen fillestare ndaj tërmeteve masive.
Derisa ishte duke folur për gazetarët në Kahramanmarash, rajon që gjendet afër epiqendrës së tërmetit, Erdogan tha se ka pasur probleme me rrugët dhe aeroportet, por shtoi se tani gjërat po përmirësohen dita-ditës.
Ndër, dëmet më të mëdha janë regjistruar në provincën turke të Gaziantepit, ku qindra ndërtesa janë shembur dhe janë bllokuar rrugët, duke penguar përpjekjet e shpëtimit.
Krahas Turqisë, edhe në Siri, operacionet e shpëtimit janë ndërlikuar për shkak se sistemi i kujdesit shëndetësor dhe infrastruktura është shkatërruar nga lufta civile që po zgjat që 12 vjet.
Dhjetëra shtete në mbarë botën kanë ofruar ndihmë emergjente humanitare, përfshirë dërgimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit dhe furnizime të tjera të ndihmës.
Bashkimi Evropian ka ofruar dërgimin e mbi 1.200 punëtorë të shpëtimit, përfshirë dy ekipe mjekësore dhe mbi 70 qen të kërkim-shpëtimit.
E Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se deri në 23 milionë persona mund të preken nga fatkeqësia, ndërkaq Gjysmëhëna e Kuqe siriane bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar të heqë sanksionet e vendosura ndaj Qeverisë së presidentit autoritar sirian, Bashar al-Assad, për të lehtësuar përpjekjet e shpëtimit.
Ky tërmet prej 7.8 ballësh ishte më i fuqishmi që ka goditur Turqinë që nga viti 1939, kur 33.000 persona u vranë në provincën Erzincan. Mbi 17.000 persona u vranë më 1999 nga tërmeti në këtë zonë, që është një prej zonave me aktivitet më të madh sizmik në botë.