
Analisti politik Krenar Shala, në emisionin “Politiko” në Kanal 10, ka komentuar nismën për ndryshimin e ligjit që lidhet me Gjykatën Speciale në Hagë.
Shala ka deklaruar se Kushtetuta është mbi ligjin dhe se, sipas tij, Kushtetuta dhe marrëveshjet ndërkombëtare nuk mund të ndryshohen përmes një ligji të zakonshëm.
Ai ka vlerësuar se nisma për ndryshimin e ligjit ka ardhur në një kohë kur partitë politike po përballeshin me presion dhe mundësinë e zgjedhjeve, duke shtuar se ato synojnë të ruajnë mbështetjen e elektoratit.
“Edhe këta janë parti politike, si Vetëvendosja, PDK-ja, LDK-ja e të gjitha partitë e tjera. Të gjitha shikojnë se si të dalin sa më mirë në zgjedhje”, ka thënë Shala.
Sipas tij, përmes kësaj nisme partitë mund të kenë synuar krijimin e një momentumi politik dhe përballimin më të lehtë të goditjeve që mund të merrnin në rast të zgjedhjeve.
Shala ka kritikuar edhe kohën kur është ndërmarrë kjo nismë, duke thënë se një hap i tillë mund të ishte iniciuar më herët, për shembull në vitin 2015.
Ai ka theksuar se ndihma konkrete për të akuzuarit në Hagë duhet të përqendrohet në gjetjen e argumenteve dhe dëshmitarëve që mund të mbështesin mbrojtjen e tyre në proceset gjyqësore.
“Kush dëshiron t’u ndihmojë vërtet atyre në Hagë, duhet t’u gjejë argumente dhe dëshmitarë që i ndihmojnë në procesin gjyqësor”, ka deklaruar Shala në “Politiko” të Kanal 10.