
Profesori i kriminalistikës, Mensut Ademi, ka bërë thirrje për bashkëpunim më të madh ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe akademisë, pas tri vrasjeve të ndodhura brenda 72 orëve të fundit në Kosovë.
Në emisionin Gazeta në Kanal 10, Ademi ka vlerësuar se, përveç ligjeve dhe institucioneve profesionale, nevojitet edhe një qasje më e koordinuar për identifikimin dhe parandalimin e konflikteve në familje dhe në shoqëri.
“Jemi shtet demokratik, kemi ligje të mira, kemi polici profesionale, prokurori dhe gjykata. Hajde të fillojmë të kemi bashkëpunim me institucionet e sigurisë”, ka deklaruar Ademi.
Ai ka theksuar se institucionet duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje problemeve që zhvillohen brenda familjeve dhe që mund të përshkallëzohen në konflikte të rënda.
Ademi ka paralajmëruar gjithashtu për ndikimin e problemeve socio-ekonomike dhe të gjendjes emocionale të qytetarëve, duke përmendur edhe periudhën e dimrit si një kohë kur mund të shtohen problemet e shëndetit mendor.
Profesori i kriminalistikës u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të bashkëpunojnë me akademinë dhe studentët, me qëllim të identifikimit të faktorëve të rrezikut dhe parandalimit të rasteve të dhunshme.
“U bëj thirrje institucioneve me autorizim: ejani të bashkëpunojmë me akademinë dhe studentët, që ta nxjerrim popullin nga kjo katrahurë”, ka thënë Ademi.
Ai ka shprehur shqetësimin edhe për kriteret dhe mënyrën se si shoqëria po përballet me problemet, duke vlerësuar se nevojitet një qasje më serioze dhe më e përgjegjshme për të parandaluar përshkallëzimin e konflikteve.