
Raporti Gresa Bardhecaj
Në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetari i saj, njëkohësisht kryeministri Albin Kurti, ka paralajmëruar vlerësime në kabinetin e tij për ministrat dhe zëvendësministrat. Porosi kishte edhe për deputetët, të cilët kanë munguar shpeshë në sesionin pranveror të Kuvendit të Kosovës, shkruan Kanal10.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka përjashtuar mundësinë që të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar.
Në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se do të ketë vlerësime për ministrat dhe zëvendësministrat.
Derisa ka folur për reformë të brendshme, kryeministri ka kritikuar edhe deputetët e partisë që e drejton për mos pjesëmarrje në seanca të kuvendit.
Ai ka thënë se deputetët që nuk e përkrahin dhe ndihmojnë qeverinë, nuk do të jenë pjesë e listës zgjedhore.
I pari i ekzekutivit ka paralajmëruar reformim edhe në administratë, pasi siç u shpreh ka “elementë që nuk e kryejnë punën për të cilën paguhen”. /Gazeta10