
Një politikan i lartë gjerman dhe aleat i kancelarit Friedrich Merz, Jens Spahn, ka dhënë dorëheqjen nga shefi i grupit parlamentar të CDU’së pasi ai dhe bashkëshorti i tij u bënë prindër përmes një nëne surrogate, një praktikë që vetë e kishte kritikuar më parë dhe së cilës partia e tij i kundërvihet fuqishëm.
Surrogacia është e ndaluar në Gjermani, një politikë që Spahn refuzoi ta ndryshonte kur ishte ministër i Shëndetësisë në vitin 2020. Për këtë arsye, ai dhe bashkëshorti i tij, Daniel Funke, përdorën një nënë surrogate në Shtetet e Bashkuara, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Pasi kishte shkruar në vitin 2015 se: “Si një burrë homoseksual dhe i krishterë, e kam shumë të vështirë ta pranoj idenë e një barku të marrë me qira”, Spahn njoftoi të mërkurën lindjen e fëmijës, duke i thënë gazetës gjermane Bild: “Georg është gëzimi ynë më i madh. Kjo ndjenjë është pothuajse e pamundur të përshkruhet me fjalë”.
Njoftimi shkaktoi menjëherë kritika si brenda ashtu edhe jashtë CDU-së, ku shumë e akuzuan Spahn për hipokrizi.
“Politikanët që vendosin standarde për të tjerët duhet të gjykohen edhe sipas atyre standardeve”, tha për BBC-në Marion Rosin, anëtare e CDU-së në Thuringi dhe pjesë e Unionit të Grave. “Nëse kjo besueshmëri humbet, dorëheqja është pasoja e natyrshme”.
Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Embrionit të vitit 1990, surrogacia në Gjermani dënohet me deri në tre vjet burg ose me gjobë. Për këtë arsye, shumë çifte gjermane zgjedhin ta realizojnë këtë proces jashtë vendit.
Në shkurt, kur nëna surrogate e fëmijës së Spahn ishte rreth katër muaj shtatzënë, CDU votoi në një kongres partie për ta ruajtur ndalimin e surrogacisë.
Spahn, 46 vjeç, një figurë e rëndësishme e krahut të djathtë të CDU-së që ka kërkuar politika më të ashpra për emigracionin, fillimisht u përpoq të mbrohej në intervista për media. Ai i tha Bild se kishte “luftuar gjatë me veten, edhe për çështjen e surrogacisë”, përpara se ai dhe bashkëshorti të merrnin vendimin.
Megjithatë, kjo nuk i qetësoi kritikët, përfshirë figura të njohura të partisë së tij. “Jens Spahn nuk mund të qëndrojë më në krye të grupit parlamentar dhe duhet të japë dorëheqjen,” tha Daniel Peters, kryetar i CDU-së në landin Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, për gazetën Bild.
Ai shtoi se ishte “plotësisht e papranueshme” që Spahn të votonte në një mënyrë si politikan i lartë i CDU-së, ndërsa “të vepronte krejt ndryshe në jetën private”.
Edhe zëdhënësi i CDU-së për shëndetësinë, Janosch Dahmen, deklaroi se çështja kishte të bënte me standardet e dyfishta dhe besueshmërinë politike të Spahn-it, jo me fëmijën e tij.
“Kush mbron rregulla në politikë duhet të jetë në gjendje të shpjegojë qartë pse ato rregulla, me sa duket, nuk vlejnë për të personalisht”, tha Dahmen.
Ndërsa kërkesat për dorëheqjen e Spahn shtoheshin, Friedrich Merz refuzoi të komentonte për të ardhmen e tij në parti, duke u thënë gazetarëve të premten se çështja do të diskutohej në mbledhjen e ardhshme të kryesisë së partisë.
Po atë ditë, Spahn i tha Bild: “Një gjë është e qartë për mua dhe kjo po bëhet më e qartë me çdo orë, nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa familja ime”.
Të shtunën, Spahn dha dorëheqjen nga posti i tij në parti.
“Gjatë ditëve të fundit kam kuptuar se lumturia ime personale për krijimin e një familjeje me bashkëshortin tim dhe fakti që jam bërë baba nuk përputhen me detyrën time politike”, deklaroi ai.
Në një postim në platformën X, Merz e cilësoi vendimin e Spahn-it për të dhënë dorëheqjen si “të drejtë dhe të pashmangshëm”. “Besueshmëria është pasuria më e vlefshme në politikë”, shkroi ai.