
Në lidhje me peticionin që ka nisur për shkarkimin e tij, kryetari i Zveçanit, Ilir Peci ka theksuar se do të respektojë çdo vendim që do të dalë nga vullneti qytetar.
I pyetur nëse do të rikandidojë në zgjedhjet e reja për kryetarë të komunës së Zveçanit, Peci tha se nuk e synon edhe një mandat, por se në fund të fundit mbetet vendim i partisë prej të cilës vjen pra PDK-së.
Në Zveçan ka nisur sot mbledhja e nënshkrimeve në peticionin për shkarkimin e kryetarit të kësaj komune, Ilir Peci.
Mbledhja e qytetarëve për të vënë firmat e tyre ka nisur në orën 9:00 dhe ata do të kenë mundësinë ta bëjnë këtë deri në orën 16:00 për gjithsej 30 ditë. Këtë, ata mund ta bëjnë në 10 stande të cilat janë vendosur në ambient të jashtëm përballë postës.
Nga krejt 7052 votues sa janë të regjistruar në këtë komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës, 20 përqindëshi i tyre i bie të jetë 1411, pra po kaq nënshkrime duhen që të nis procesi për largimin e kryetarit./Gazeta10