
Zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu, ka demantuar raportimeve e mediave se kryeministri Albin Kurti ka 38 këshilltarë.
Sipas Kryeziut ky numër nuk është i saktë pasi që në staf janë vetëm 25 këshilltarë.
Kurse numri 38 sipas tij, përfaqëson numrin total, të të emëruarëve nga Kurti e që disa nga ta janë edhe staf administrativ e zyrtarë të tjerë, por që s’janë të gjithë këshilltarë.
“Ky raportim i mbrëmshëm nuk është i saktë dhe atë në mënyrë të dyfishtë.Së pari, kryeministri Kurti nuk i ka të angazhuar 38 këshilltarë. Numri total i këshilltarëve, përfshirë ata të jashtëm, është 25. Prej tyre 8, duke qenë të jashtëm, nuk paguhen nga buxheti i Shtetit.Së dyti, kryeministri Kurti nuk ka numër më të lartë të këshilltarëve se ç’kishte ish-kryeministri Haradinaj. Numri total i këshilltarëve të emëruar, përfshirë ata të jashtëm, të ish-kryeministrit Haradinaj sipas të dhënave të muajit janar 2020 ishte 33.Për informim, kabineti i Kryeministrit përbëhet nga këshilltarët politikë, nëpunësit e kabinetit dhe këshilltarët e jashtëm. Ata së bashku përbëjnë stafin e Kryeministrit. Numri 38 i raportuar mbrëmë përfaqëson numrin total të stafit të emëruar të Kryeministrit: 25 këshilltarë, 10 nëpunës, ku bëjnë pjesë zyrtaret ekzekutive dhe administrative, fotografi, zyrtarët e protokollit, asistentët—pra që nuk janë këshilltarë—, dhe të 3 të tjerë të emëruar të kryeministrit, ku përfshihen Kryesuesi i Komisionit Qeveritare për Personat e Zhdukur/Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e Personave të Zhdukur, koordinatori i Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar Kosovë -Shqipëri, dhe koordinatorja për funksionalizimin e Fondit Sovran, të cilët kanë mandate të veçanta”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.