Sport

Kundërshtarët e Ballkanit në grupin C, historiku i tyre në garat evropiane

Gazeta10
02 Shtator 2023 - 12:46

Gjatë ditës së premte (1 shtator), Ballkani mësoi kundërshtarët në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, aty ku u kualifikuan për herë të dytë radhazi.

Therandasit u shortuan në grupin C dhe do të sfidohen nga Dinamo Zagreb, Astana dhe Viktoria Plzen.

Të tria këto skuadra kanë përvojë shumë më të madhe se Ballkani në Evropë, ndonëse për herën e parë po paraqiten në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Kryesisht, kanë luajtur në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.

Më poshtë mund të njoftoheni me historikun e këtyre klubeve.

Dinamo Zagreb

Kundërshtari më favorit për të kaluar grupin është pa dyshim Dinamo Zagreb. Gjiganti kroat ka përvojë të madhe në Evropë, duke marrë pjesë në kompeticionet evropiane që nga viti 1959. Dinamo po ashtu është ekipi më i trofeshëm kroat, me klubin që në sirtarin e tij ka 52 trofe, ndër to edhe një evropian (Inter-Citi Fairs Cup, 66/67).

Në total, në ndeshjet evropiane (ato kualifikuese dhe në fazën e grupeve/eleminuese), Dinamo është paraqitur në 368 ndeshje, prej të cilave ka 150 fitore, 80 barazime dhe 138 humbje.

Më së shumti paraqitje për klubin në kompeticionet e UEFA-s ka Arijan Ademi me 104 paraqitje, gjersa më së shumti gola për fanelën e Dinamos në këto kompeticione ka Mislav Orsic me gjithsej 28 gola.

Dinamo ka marrë pjesë 8 herë në grupet e Ligës së Kampionëve në historinë e tij, teksa në Ligën e Konferencls po merr pjesë për herë të parë.

Viktoria Plzen

Ballkani në fazën e grupeve të këtij edicioni në Ligën e Konferencës ka mundësinë e ‘hakmarrjes’ për Dritën, pasi kundërshtari i radhës është Viktoria Plzen, klub i cili eleminoi Dritën nga kualifikimet e kësaj gare.

Viktoria Plzen fitoi ligën elitare çeke për herë të parë në vitin 2011, kështu duke siguruar kalimin në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve në sezonin 2011/12. Atë sezon Plzen përfundoi në pozitën e tretë me 5 pikë, duke vazhduar garat në 1/16 e finales në Ligën e Evropës.

Klubi çek ka marrë pjesë në grupet e Ligës së Kampionëve dy herë, tri herë është paraqitur në grupet e Ligës së Evropës dhe një herë ka marrë pjesë në garën European Cup Winners’ Cup.

Gjithsej, Plzen ka luajtur 86 ndeshje në kompeticionet evropiane, duke arritur të fitojë 39 ndeshje, 29 ndeshje i ka humbur, gjersa 18 të tjera kanë përfunduar me barazim.

Edicionin e kaluar, Plzeni ishte pjesë e grupeve të Ligës së Kampionëve, së bashku me Bayern Munchen, Barcelona e Inter, duke pësuar 6 humbje pas 6 ndeshjeve.

Në sirtarin e tij, Viktoria Plzen ka 7 trofe. 6 herë ka dalë fitues në elitën e futbollit çek, gjersa një herë në Kupën e Republikës Çeke.

Astana

‘Hakmarrja’ nuk përfundon vetëm te Viktoria Plzen, pasi pjesë e grupit është edhe Astana. Ky klub arriti të triumfojë pas dy ndeshjeve ndaj kampionit të Shqipërisë, Partizanit.

Astana po ashtu është një klub që gëzon përvojë të kënaqshme në garat evropiane. Në tri kompeticionet e rëndësishme të UEFA-s, Astana ka luajtur 92 ndeshjeve, prej të cilave në 32 sosh ka triumfuar, gjersa në 38 prej tyre ka pësuar disfatë. 22 ndeshje të tjera kanë përfunduar me barazim.

Astana është kualifikuar vetëm një herë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, teksa në Ligën e Evropës ka marrë pjesë tri herë. Në Ligën e Konferencës është hera e parë që kualifikohet për këtë fazë.

Astana në kabinetin e saj të trofeve ka 10 trofe. 7 herë ka dalë fituese në elitën e futbollin kazak, gjersa 3 herë të tjera ka arritur të triumfojë në Kupën e Kazakistanit.

Datat e ndeshjeve:

Ndeshja 1: Viktoria Plzen – Ballkani (21 shtator 2023)

Ndeshja 2: Ballkani – Dinamo Zagreb (5 tetor 2023)

Ndeshja 3: Ballkani – Astana (26 tetor 2023)

Ndeshja 4: Astana – Ballkani (9 nëntor 2023)

Ndeshja 5: Ballkani – Viktoria Plzen (30 nëntor 2023)

Ndeshja 6: Dinamo Zagreb – Ballkani (14 dhjetor 2023)

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.