Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Kurti dhe ministrat janë uzurpatorë”, PDK e Aleanca protestojnë para Qeverisë

Gazeta10
25 August 2026 - 9:02

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, asamblistë, drejtorë e aktivistë të këtij subjekti politik në Prishtinë, por edhe deputetë të Aleancës kanë qëndruar edhe sot para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar që kryeministri në detyrë, së bashku me ministrat ta lirojë objektin, pasi janë uzurpatorë.

Ata kanë kërkuar nga Kurti që mos ta shkel Kushtetutën por të shkoj në Kuvend dhe të mundësojë vazhdimin e seancës konstituive.

Asamblistja e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fjolla Vukshinaj-Reçica, deklaroi se mosfunksionimi i Kuvendit nuk është vetëm çështje e debatit politik, por një bllokadë që, sipas saj, po prek drejtpërdrejt qytetarët, komunat dhe projektet zhvillimore.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se Kurti me ministrat e tij janë uzurpatorë dhe se Kosova po stagnon e që pasojat po i ndjejnë qytetarët.

“Jemi këtu për të përsëritur edhe një herë kërkesën tonë për kthim të kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë. Pra, ne po i themi sot troç, Albin Kurtit dy gjëra. E para që ai dhe ministrat e tij, të cilët janë në këtë objekt, janë uzurpatorë dhe duhet ta lirojnë këtë objekt. Dhe e dyta ata duhet të kthehen në Kuvend e t’i hapin rrugë krijimit të institucioneve të reja të vendit. Pra, Kosova po stagnon dhe me të drejtë e tha sot edhe asamblistja e komunës së Prishtinës sepse pasojat po i ndjejnë qytetarët e Republikës. Pra, dëmi është shumë i madh dhe ka vetëm një njeri që sot nuk lodhet për stagnimin në të gjitha drejtimet që e ka Republika e Kosovës. Prandaj nga këtu i themi deputetit Kurti që të kthehet në Kuvend, t’i hap rrugë krijimit të institucioneve të reja sepse Kosova është projekt shekullor i shumë brezave dhe nuk mund ta shkatërroj askush, as deputeti Kurti”, tha ajo.

Ndërsa, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se Kurti është shkelës recidivist i Kushtetutës dhe se ka bllokuar konstituimin e Kuvendit.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.