
Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë të përbashkët për media kanë thënë se Ligji për pagat dhe ai për Zyrtarët Publikë kanë qenë të domosdoshme për reformë rrënjësore në administratën publike, raporton Gazeta10.
Kurti tha se me këto dy ligje do të eliminohen padrejtësitë dhe diskriminimi, që përmes nivelizimit të pagave, ulen dallimet në mes të profesioneve dhe të pozitave.
“Jemi zotuar që synim kyç kemi krijimin e një sistemi të njëtrajtshëm për përcaktim të pagës që do të sigurohemi ta përcaktojmë parimin bazë për caktim të koeficienteve, që do të përcaktohen kushtet për përfitim ta pagës sekondare dhe se do të vendoset barazi për zyrtarët e bazuar në parimet e ligjshmërisë, transparencës dhe të parashikushmërisë. Për gjatë hartimit të dy projekligjeve, Ministria e Punëve të Brendshme bashkë me Ministrinë e Financave janë përkujdesur që në përcaktimin e të drejtës në pagë të aplikohet një sistem uniform dhe I vlefshëm për të gjithë punonjësit në mënyrë që të eliminohen padrejtësitë dhe diskriminimi, që përmes nivelizimit të ulen dallimet në mes të profesioneve dhe të pozitave”, tha kryeministri.
Ndërsa, ministri Sveçla tha se qeveria dhe MPB-ja janë angazhuar me synime të qarta si drejtësi, barazi, llogaridhënie dhe transparencë.
“Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme janë angazhuar me synime të qarta në konceptimin e dy projektligjeve; Drejtësi e barazi, llogari e transparencë. Ka pasur shumë kualifikime e etiketime jo të përshtatshme për kohë e procedimit të këtyre projektligjeve, por kemi vlerësuar se është më I rëndësishme se çdo afat ai sistem që duhet përmirrua në shërbimin ndaj qytetarëve dhe për pagesat e secilit zyrtarë publik në Kosovë”, theksoi ai./Gazeta10.