
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, pritet që takimin e radhës ta zhvillojnë më 2 maj në Bruksel, kanë raportuar mediat.
Ky takim ishte spekuluar se do të zhvillohet më 22 prill, mirëpo sipas burimeve të ndryshme, ky takim do të zhvillohet më 2 maj 2023.
Takimi i fundit i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte ai i Ohrit.
Gjatë këtij takimi u publikua edhe një Aneks i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin palët ishin dakorduar, por nuk kishin nënshkruar.
Në aneksin e publikuar më 18 mars thuhet se palët kanë rënë dakord të miratojnë si çështje urgjente Deklaratën për personat e Zhdukur, po ashtu Kosova do të fillojë menjëherë negociatat brenda dialogut për të krijuar aranzhime dhe garanci specifike për të siguruar nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga BE-ja lehtësuese.
Kujtojmë se edhe më 27 shkurt, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Krejt çfarë është thënë në agjendën e 27 shkurtit, është se fokusi i takimi ka qenë mbi propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.