
Rreth bisedës së drejtpërdrejt mes Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-Nënkryetarit famëkeq të Listës Serbe, Milan Radojçiq, është pyetur sot Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili fare s’e trajtoi por iu referua në përgjithësi gjykimit qytetar se “ata e dinë me kë ka bashkëpunuar Radojçiqi” teksa iu referua edhe asaj që për këtë ka reaguar zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka
“Unë vetë nuk i kam dëgjuar; mirëpo qytetarët e Kosovës e dinë kush ka bashkëpunuar me Radojçiqin, dhe e kanë shumë të qartë se pse Radojçiqi ik tash e dikur ishte në kryeministri. Për këtë zëdhënësi i VV-së e ka dhënë përgjigjen e saktë.
Ajo është një situatë e montuar dhe Radojçiqi këto 9 muaj ndodhet i lirë dhe trysnia në Kosovë duhet të jetë që ndaj tij të ketë aktakuzë dhe të jetë i arrestuar.
Po e kuptoj që po përpiqeni të dramatizoni me çdo kusht disa sekonda prej një bisede që nuk e di se si e ku është marrë e si u pre e nga kush u organizua, por, edhe njëherë unë jam kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Mimoza Kusari-Lila nuk është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje; edhe po të ishte anëtare për këso gjëra ka komision disiplinor, sepse VV-ja s’e ka kryetarin diktator që merr ashtu vendime”.