
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Seminarin e 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, tha se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e mbrojtjes do të vazhdojnë të përgatiten së bashku me partnerët e NATO-s, që në të ardhmen Kosova të bëhet anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut, raporton Gazeta10.
“Gjithashtu e NATO-ja duhet të na ndihmojë që të bëhemi pjesë e programit të partneritetit për paqe. Mund të paramendoni ku Bjellorusia dhe Serbia janë të pranuara, kurse Kosova jo, kështu që unë do u kisha bërë thirrje të gjitha vendeve anëtare të NATO-s që t’i ndihmojnë Kosovës të bëhet pjesë e programit të partneritetit për paqe si një hap i parë i madh drejt anëtarësimit në NATO”, tha Kurti.
Ai tha se Ballkani Perëndimor si rajon me shumë probleme të pazgjidhura është po ashtu i ndjeshëm nga aspekti i stabilitetit politik.
“NATO është i vetmi aleat politik dhe ushtarak që synon të ruajë të arriturat e shoqërisë njerëzore dhe vlerat e avancuar demokratike të cilat si qendër gravitacioni kanë jetën dhe zhvillimin e qenies njerëzore. Në këtë mjedis bashkëkohor, të sigurisë dhe demokratike dhe shoqëria njerëzore është duke u sfiduar nga rilindja e ideve të vjetra po jo të harruara fashiste e hegjomoniste”, tha Kurti.
Kryeministri i vendit tha se Serbia ka mirëpritur ndikimin rus dhe është duke e përdorur që të vazhdojë kërcënimin e sigurisë dhe paqes në këtë pjesë të Evropës.
Ai tha se sot më shumë së kurrë vendet e NATO-s duhet të kontribuojnë për kohezion dhe zgjerim të kapaciteteve. Derisa ka shtuar se Republika e Kosovës është e qartë drejt integrimit të strukturave euroatlantike./Gazeta10.