
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën se nuk mund të ketë kryetarë të rinj në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – pa zgjedhje të reja.
“Unë e kuptoj që zgjedhjet që janë mbajtur në veri të Kosovës, kanë pasur dalje shumë të ulët dhe legjitimiteti është i vakët, mirëpo këta kanë pak legjitimitet, e ata të tjerët kanë aspak legjitimitet”, ka deklaruar Kurti.
Kurti u është referuar kryetarëve të rinj shqiptarë, të cilët i kanë fituar mandatet në këto komuna, në procesin zgjedhor të prillit, të cilin e kanë bojkotuar pjesëtarë të komunitetit serb.