
“Nacionalizmi, asociacioni dhe zgjedhjet” ka qenë tema e së mërkurës në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun, ku i ftuar ka qenë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri dhe gazetarët dhe njëherësh komentatorët politikë Bahri Cani, Halil Matoshi, Fidan Rama dhe Blerim Gashi.
Gazetari i Deutsche Welle, Bahri Cani në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun, ka komentuar tubimet e partive politike në diasporë.
Ai ka thënë se fushatat parazgjedhore mund të ndikojë negativisht tek mërgimtarët, duke thënë se ‘frikësohet se partitë politike’ mund ta përçajnë diasporën.
“Mërgata e Kosovës ka qenë më pak e interesuar për partitë politike, pasi më shumë ka qenë e interesuar për Kosovën, ndërsa me fushatën që po bëhet shqetësimi im është që partitë politike do të vijnë dhe do ta përçajnë mërgatën”, ka thënë Cani.
Cani ka theksuar se mërgata e ka pasur synim zhvillimin e Kosovës, por megjithatë ka thënë se fushatat parazgjedhore mund të ndikojnë negativisht në kuptimin e përceptimeve politike.
Nga ana tjetër, gazetari dhe njëherësh analisti politik, Halil Matoshi është shprehur kundër të drejtës së votës së diasporës në Kosovë, duke e cilësuar si të padrejtë mundësinë e votimit në dy shtete.
“Le të zgjedhin ku me e qitë votën ose atje ose këtu”, ka thënë Matoshi në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun.
Megjithatë, një mendim ndryshe e ka ndarë gazetari Bahri Cani, i cili ka thënë se ligji e lejon këtë të drejtë të qytetarëve.
“Ligji e thotë që kur i ke dy vendbanime ke të drejtë me votu edhe këtu edhe atje”, ka thënë Cani.
“Në ballkan nuk e ka kërkush këta, pos neve”, është kundërpërgjigjur Matoshi.
E analisti Blerim Gashi derisa ka komentuar tubimet e partive politike në diasporë, ka hedhur ‘kunja’ në drejtim të opozitës.
“Nuk besoj që është gabim shkuarja tek mërgata, nuk konsideroj që nuk duhet të takohet mërgata, por konsideroj që kjo është bë hajt të ia nisim me mërgatën ta heqim qafe të kthehemi pastaj në vend këtu”, ka thënë Gashi.
Tutje, analisti Fidan Rama e ka quajtur të padrejtë faktin që autoritetet gjermane nuk u kanë dhënë leje partive politike që të zhvillojnë fushatat e tyre në periudhën më pak se tre muaj nga data e mbajtjes së zgjedhjeve.
Ai ka thënë se diasporës po u bëhet e padrejtë, teksa ka theksuar se diaspora është një resurs shumë i rëndësishëm i Kosovës.
“Diaspora është resurs shumë i rëndësishëm i Kosovës që jeton atje, tek e fundit nuk jemi as të parët as të fundit që në diasporë që bëjmë aktivitete ku bëhen thirrje, kërkohet vota në raport me një ndryshim që të njëjtit që vijnë në pushtet mund të ia sjellin asaj pjese që jeton jashtë, që për shumë arsye kanë kaluar atje por mendjen e kanë në Kosovë, me mendje dhe zemër janë në Kosovë dhe sa herë të vijnë pjesën më të madhe të shpenzimeve e bëjnë në Kosovë”, ka thënë Rama.
Në studion e ‘Politikos’ nuk kanë munguar as përplasjet në mes të Hazirit dhe Ramës gjersa po diskutohej për votat e diasporës.
Haziri ka thënë se mërgimtarët pas luftës kanë ardhur nga Zvicra dhe Gjermania për ta votuar LDK-në. Derisa ka kujtuar ndihmesën e mërgatës ndër vite për votat e partive politike, ai është shprehur i bindur se mërgata nuk ka qenë asnjëherë determinues i zgjedhjeve.
“Mërgata mas luftës u çu në këmbë ka ardhur prej Zvicres dhe Gjermanisë për me votu LDK-në se kanë pasë lidhshmërinë me LDK-në dhe na kanë nimu neve. Në 2007-ën i ka ndihmu PDK-së dhe Thaçin e bonen kryeministër. Në 2021 erdhën e ndihmun Albinin dhe Vjosen”, ka thënë Haziri.
“Në 2021, vota e diasporës e ka çu në 51% LVV ta kuptojmë këtë”, ka thënë komentatori Rama.
“Po mirë sa ka mujt me fitu pa diasporën? 49%?”, ka pyetur Haziri.
“Z.Haziri dallon 51% sepse ish detyru me hy në koalicion. Vota e diasporës ka qenë determinuese me prodhu një rezultat historik që nuk është pa në pluralizmin politikë që nga paslufta. As Rugova kur ka qenë në kulm LDK-ja nuk ka marrë më shumë se 46%”, ka thënë Rama.
“Rugova i ka marrë 62% o Fidan”, ka reaguar sërish Haziri.
Tutje, një debat i fortë është zhvilluar lidhur me deklaratën e kapitenit të Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmanit, i cili pas ndërprerjes së ndeshjes me Rumaninë tha se “Kosova është Kosovë ose Shqipëri”.
Lidhur me këtë, Matoshi ka thënë se në Rumani, Rrahmani nuk i ka mbrojtur ngjyrat e Kosovës, teksa shtoi se “ai trakën e kapitenit të Kombëtares nuk guxon me e mbajt”.
“Në Rumani nuk është mbrojtur Kosova, nuk janë mbrojtur ngjyrat e Republikës së Kosovës, përkundrazi janë përdhosur. E para nga brenda federatës, e kam informacionit që FFK ka dashtë me dalë në fushë e futbollistët kanë rezistuar. Nëse ata mbrojnë ngjyrën e Republikës kanë me iu bind rregullave të UEFA-s. Kapiteni zgjidhet një njeri me kredibil me integritet dhe njeriu që din me i mbrojt ngjyrat që i ka veshur. Ai njëri traken e kapitenit të Kombëtares nuk guxon me e mbajt. Nëse Kosovë është Shqipëri pse luajnë në Ligën e Kombeve edhe Kosova edhe Shqipëria”, ka thënë Matoshi.
Megjithatë, një mendim ndryshe e pati gazetari Cani.
“Unë mendoj që ka vepruar mirë edhe komplet ekipi”, tha Cani.
“Me këtë logjikë është Kosova në sanksione të BE-së”, tha Matoshi.
Tutje, nënkryetari i LDK-së ka thënë se kryeministri i vendit Albin Kurti po manipulon me draft-statutin e asociacionit.
I pyetur se a mund të shmanget Kosova nga obligimet ndërkombëtare, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri është shprehur i bindur se kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka nënshkruar marrëveshjen, në të cilën përfshihet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Marrëveshja e 27 shkurtit, Kurti thotë unë e kam pranu. Po Kurti në terma të vogël, draft-statutin e manipulon, thotë që unë nuk e çoj në Gjykata Kushtetuese këtu nuk e përmen”, ka thënë Haziri.
Në debat e sipër me panelistët, nuk kanë munguar as deklaratat ‘bombastike’ të Hazirit, i cili ka bërë krahasime qesharake lidhur me pranimin e asociacionit nga kryeministri Kurti.
“Në terma të diplomacisë, merre ose leje, më 15 mars 2023 z.Kurti ka mujt me demonstru, me lanë dokumentin e me dalë jashtë, por e ka marrë dokumentin. Në terma shqip i bjen hunin apo tirqin, z.Kurti e ka marrë hunin, ia ka pru Kosovës”, ka thënë Haziri.
Por ndryshe ka vlerësuar analisti Rama, i cili është shprehur i bindur se kryeministri Kurti nuk do ta pranojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe i paraparë sipas marrëveshjes së nënshkruar.
“Këtë asociacion, kryeministri nuk e bën kurrë këtë e keni prej ditës së parë që e kam thënë këtu. Te e dyta kur flasim për marrëveshjen e Ohrit ajo nuk është marrëveshje”, ka thënë Rama.
Një kundërshtim me këtë deklarim e pati Matoshi.
“Bashkimi Evropian i referohet si marrëveshje e zotuar dhe e dakordume nga të dy palët”, ka thënë Matoshi.
“Unë nuk e shoh si marrëveshje. Aty ka qenë njëfarë pajtimi për me vazhdu me u pajtu për çështjen që kanë mbetur”, ka thënë Rama.
Krejt në fund, Haziri ka theksuar se me Lidhjen Demokratike të Kosovës ndryshon jeta, teksa ka vazhduar kritikat për Qeverinë e Kosovës.
“Me LDK-në ndryshon jeta edhe drafti”, ka thënë Haziri.
Ai ka thënë gjithashtu se marrëveshja e 24 shkurtit në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiqit është bërë ‘këpucë për Kurtin’, e cila këtë të fundit e ka shtyrë në obligime të reja.