
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, ka prezantuar programin e tij për mandatin e ardhshëm, duke renditur një sërë zotimesh në ekonomi, paga, mirëqenie sociale, industri, energji, teknologji, bujqësi dhe turizëm.
Kurti ka deklaruar se synimi është që paga mesatare në sektorin publik të kalojë mbi 1 mijë euro në muaj, ndërsa ka premtuar edhe rritje të shtesave për fëmijët dhe mbështetje më të madhe për familjet.
Ai ka përmendur rritjen e përfitimeve për lehonat, mbështetjen për nënat që punojnë dhe programin “Gjenerata për Gjeneratë”, përmes të cilit synohet mbështetja e gjyshërve pensionistë që kujdesen për nipërit dhe mbesat kur të dy prindërit janë në punë.
Në fushën ekonomike, Kurti ka paralajmëruar “transformimin më të madh ekonomik e industrial”, përfshirë një program prej rreth 1 miliard eurosh për prodhimin dhe industrinë, garanci për kredi investuese dhe mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Ai ka folur edhe për Bankën Zhvillimore, e cila, sipas tij, do të përdoret për financimin e projekteve strategjike, ndërsa ka paralajmëruar masa të reja në dogana, faturim elektronik dhe ndryshime në TVSH.
Kurti ka përmendur edhe heqjen e 20 për qind të tarifës doganore për veturat e importuara nga vendet e Bashkimit Evropian, si dhe miratimin e një ligji për kontrollin e çmimeve.
Në teknologji, ai ka paralajmëruar krijimin e një fondi për inovacion, parqe të teknologjisë dhe inovacionit, si dhe hapjen e 15 qendrave të reja deri në fund të mandatit.
Në sektorin energjetik, Kurti ka përmendur krijimin e një qendre për hulumtim dhe zhvillim në Prizren, në bashkëpunim me partnerë gjermanë.
Ndërsa në transport, ka folur për krijimin e një rrjeti të integruar të transportit publik, të quajtur “Anën Banë”, me synimin që transporti urban dhe ndërurban të lidhen në një sistem të përbashkët. Ai ka përmendur edhe synimin për një biletë mujore të subvencionuar prej 10 eurosh.
Në turizëm, Kurti ka paralajmëruar investime në Brezovicë, Pejë, Rugovë dhe Bjeshkët e Nemuna, ndërsa ka përmendur edhe zhvillimin e bujtinave dhe destinacioneve turistike në zona të ndryshme të Kosovës.
Për diasporën, ai ka paralajmëruar skema për tërheqjen e investimeve, garanci shtetërore për kredi deri në 100 milionë euro dhe digjitalizim të shërbimeve konsullore.
Kurti ka thënë se këto janë pjesë e vizionit të tij për mandatin e ardhshëm, duke e cilësuar programin si një plan për zhvillim ekonomik, social dhe institucional të Kosovës./Gazeta10