
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar lansimin e tri shërbimeve të reja në kuadër të transformimit digjital të vendit: Platformës Kombëtare të Identitetit Elektronik (eID), Kuletës Digjitale (Digital Wallet) dhe aplikacionit për nënshkrim elektronik (eSign).
Përmes një postimi, Kurti ka theksuar se këto shërbime synojnë ta afrojnë institucionin te qytetari, duke reduktuar nevojën për vizita fizike në institucione dhe duke mundësuar kryerjen e procedurave në mënyrë elektronike.
Sipas tij, identifikimi elektronik u mundëson qytetarëve të dëshmojnë identitetin e tyre në mënyrë të sigurt në mjedisin digjital, ndërsa Kuleta Digjitale mundëson përdorimin e identitetit dhe kredencialeve elektronike. Në anën tjetër, aplikacioni eSign mundëson nënshkrimin e dokumenteve pa pasur nevojë për dokumente fizike dhe prani personale.
Kurti ka bërë të ditur se përmes platformës eKosova aktualisht ofrohen mbi 330 shërbime digjitale për qytetarët dhe bizneset.
Ai ka vlerësuar se me funksionalizimin e identitetit dhe nënshkrimit elektronik do të rriten mundësitë që shërbimet publike të përfundohen tërësisht online, duke lehtësuar edhe qasjen e bashkatdhetarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Sipas kryeministrit, këto risi përbëjnë hapa të rëndësishëm drejt ndërtimit të një administrate publike më efikase, më të shpejtë dhe më të qasshme, e cila funksionon sipas nevojave të qytetarëve dhe bizneseve.