Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Kurti sërish jo-Ramës, zgjedh të udhëtojë drejt Greqisë

Gazeta10
17 July 2023 - 19:55

Raporti: Saranda Alshiqi / Kanal10

Kryeministri Albin Kurti, i ka thënë jo ftesës së homologut të tij shqiptar, Edi Rama, për t’u bërë pjesë e takimit të liderëve të rajonit për Procesin e Berlinit. Në vend të kësaj, kreu i ekzekutivit kosovar ka udhëtuar drejtë Greqisë. E, ky refuzim ka ngjallë reagime të shumta në Kosovë, duke e quajtur inatçore, të papërgjegjshme dhe heqje dorë nga obligimet shtetërore.

Kryeministri, Albin Kurti, është i vetmi liderë i rajonit, që ka munguar në takimin joformal të organizuar nga kryeministri Edi Rama, për procesin e Berlinit.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, i ka thënë jo, ftesës së homologut të tij shqiptar.

E, ky refuzim sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka një arsye.

“Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë”, deklaroi Përparim Kryeziu – Zëdhënës i Qeverisë.

Por, refuzimi i shefit të ekzekutivit, ka nxitur reagime të ashpra të partive opozitare dhe jo vetëm.

“Si qenka më me rëndësi një konferencë në ishujt e bukur të Greqisë sesa takimi me liderët e rajonit dhe Komisionin Evropian në Tiranë?! Kryeministër, Edi Rama nuk të ka ftuar në dasëm familjare, por në takim me liderët e rajonit, në kuadër të procesit të Berlinit. Mosdurimi dhe qasja e juaj idhnake karrshi Kryeministrit shqiptar po e dëmton Kosovën”, u shpreh Vlora Çitaku – Nënkryetare e PDK-së.

“Mospjesëmarrja e Kryeministrit në takimin përgatitor në Tiranë për Procesin e Berlinit është heqje dorë nga obligimet shtetërore dhe tallje me aspiratat e popullit të Kosovës për integrim evropian. Për Kosovën ka qenë tepër e rëndësishme pjesëmarrja në këtë mekanizëm, mbi baza të barabarta si çdo vend tjetër, duke qenë faktor përcaktues për progresin në integrimin e rajonit së tërësi në BE”., tha Avdullah Hoti – Deputet i LDK-së.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se sjellja e Kurtit tregon logjikën e mbrapsht e inatçore të tij.

Edhe analisti politik Artan Muhaxhiri, e ka quajtur të papranueshëm mos shkuarjen e Kurtit në takimin e Tiranës.

Pjesë e takimit joformal kanë qenë, Aleksandar Vuçiq, Dritan Abazoviq, Dimitar Kovaçevski si dhe Borjana Kristo, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës si dhe komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.