Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Kurti sërish përballë Vuçiqit, Qeveria thotë se është në kontakt me BE-në për takimin

Gazeta10
11 February 2023 - 13:58

Zyra e Kryeministrit, Albin Kurti ka bërë të ditur për Gazetën10 se është në kontakt të vazhdueshëm me BE-në për një takim të radhës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Bashkimin Evropian në lidhje me takimin e radhës. Do të ju mbajmë të informuar me kohë.”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu për Gazetën10.

LEXO EDHE: Ekskluzive: Amerika bën bashkë Kurtin dhe Vuçiqin

Ndërsa sot, Qeveria ka njoftuar se gjatë një bisede telefonike që kryeministri Kurti ka pasur të premten me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ia ka konfirmuar atij gatishmërinë për takime të radhës të nivelit të lartë politik në kuadër të dialogut.

“Kryeministri Kurti konfirmoi gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe shprehu pajtimin e tij për nevojën për intensifikim të procesit të dialogut”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Qeverisë.

Për nevojën që të intensifikohet ky proces, në Prishtinë e në Beograd ka qëndruar sërish javën e kaluar emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në Prishtinë, ai pas takimit me Kurtin tha se janë dakorduar që propozimi evropian është bazë e mirë e diskutimeve të mëtejme.

Lajçak theksoi se janë duke i bërë përgatitjet që takimi i radhës mes Kurtit e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të jetë konstruktiv.

Për rikthimin në tryezën e bisedimeve në Bruksel në muajin shkurt, Gazeta10 ka raportuar edhe një ditë më parë.

Burime të televizionit kanë thënë se takimi Kurti-Vuçiq do të organizohet pas një insistitimi të SHBA-ve, si një partner mbështetës në dialog./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.