Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka asgjë për t’u befasuar me atë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur informacione më shumë se ai lidhur me situatën në veri të vendit, raporton Gazeta10.
Kurti ka thënë se SHBA ka institucione diplomatike në dy vendet si dhe e ka edhe ushtrinë në Kosovë.
“Së pari unë nuk besoj që ka dikush aryse të befasohet pse ambasadori amerikan në një situatë konkrete të sigurisë paska pasur më shumë informacion se kryeministri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ambasadën edhe në Serbi edhe në Kosovë, në Kosovë e kanë edhe ushtrinë, prandaj nuk e di, prandaj nuk e di pse njerëzit shihen të befasuar që paska pasur informacion më shumë se sa unë”, ka thënë Kurti.
Më tej, ai ka thënë se kjo është dëshmi e aleancës që këtë informacion e kanë ndarë edhe me të.
“Është shumë mirë, është dëshmi e aleancës dhe partneritetit tonë që atë infomacion e kanë ndarë me mu, këtu nuk ka asgjë negative dhe asgjë për befasi”, ka thënë ai më tej.
Kujtojmë se së fundmi ka pasur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për targat e paraprirë nga tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës, rrethana këto që e dërguan Qeverinë e Kosovës në përplasje të hapur me bashkësinë ndërkombëtare.
Po ashtu, së fundmi është duke u diskutuar edhe plani franko-gjerman si një zgjidhje për mosmarrëveshjen Kosovë-Serbi. / Gazeta10