Lajme

Kurti takohet me ministrin arab të Haxhit dhe Umres, ZKM thotë se folën për “mundësi e investime të reja”

Gazeta10
29 Tetor 2024 - 17:05

Kryeministri Albin Kurti e ka pritur sot në takim ministrin e Haxhit dhe Umres së Arabisë Saudite, Tawfig Al-Rabiah.

Zyra e Kryeministrit thotë se Kurti dhe Al-Rabiah diskutuan për “mundësi e investime të reja”.

“Teksa i uroi mirëseardhje, kryeministri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh si dhe shprehu mirënjohje për marrëdhëniet e mira dhe në rritje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Arabisë Saudite. Këtë vit shënojmë 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplimatike. Gjatë takimit Kryeministrit theksoi rritjen dhe zhvillimin ekonomik që Kosova ka arritur gjatë viteve të fundit. Së bashku diskutuan për për mundësi e investime të reja që do të forconin këtë trend pozitiv, dhe në të njëjtën kohë do të kontribuonin në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve miqësore mes dy vendeve”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Kurti e ka falënderuar ministrin arab për “mbështetjen e vazhdueshme të Arabisë Saudite ndaj pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës”.

“Këtu ai veçoi përkrahjën e rezolutave të miratuara nga Organizata për Bashkëpunim Islamik (OIC) që u bëjnë thirrje shteteve anëtare që nuk e kanë njohur ende Kosovën ta njohin atë”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Në këtë takim ishin edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, dhe Myftiu i Kosovës, Naim Tërrnava me përfaqësues të Bashkësisë Islame në Kosovës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.