Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

​Kurti takon shefen e MCC-së: Kosova po krijon kapacitetet për akumulimin me bateri të energjisë elektrike

Gazeta10
17 October 2022 - 22:10

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mirepriti Shefen Ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright, e shoqëruar nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Kurti e falënderoi Albright për bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e tij drejt zbatimit sa më shpejtë të Programit.

Sipas një komunikate të Qeverisë, përpos ratifikimit në Kuvend me mbështetjen e 89 deputetëve në më pak se një ditë pas nënshkrimit, në mbledhjen e 100-të të Qeverisë, janë themeluar edhe dy grupe punuese në shërbim të zbatimit të marrëveshjes.

“Kështu, Kosova për herë të parë po krijon kapacitetet e saj të para për akumulimin me bateri të energjisë elektrike, dhe po investon në zhvillimin e shkathtësive të reja në sektorin e energjisë, duke u përgatitur për tranzicionin e drejtë energjetik. Marrëveshja me MCC-në për Programin Kompakt vjen në një moment kritik. Republika e Kosovës synon një ekonomi të orientuar kah eksporti dhe rritje të kapaciteteve të energjisë së ripërtritshme. Për të dy këto, Programi Kompakt dhe MCC-ja janë shumë të rëndësishme, tha ndër të tjera kryeministri Kurti.

Shefja ekzekutive e MCC-së, Alice Albright u shpreh falënderuese për ratifikimin e shpejtë të marrëveshjes në Kuvend të Republikës së Kosovës dhe dha gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të afërt drejt zbatimit sa më të shpejtë të saj. Ajo tha se Programi Kompakt është projekt afatgjatë për Kosovën, me prioritet edhe për vetë MCC-në.

Investimet e Programit Kompakt do të jenë në pronësi të Republikës së Kosovës dhe shënojnë një nga bashkëpunimet më të rëndësishme zhvillimore në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.