Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

“Kurti, thikë pas shpine veteranëve”

Gazeta10
24 July 2023 - 18:48

Raporti: Saranda Alshiqi/Kanal10

Thikë pas shpine, po e vlerëson lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, mospërfshirjen e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, në projektligjin për pagën minimale.

Në një takim që Haradinaj ka mbajtur të hënën me përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, shoqatat e të burgosurve politikë e shoqatat e të pagjeturve, ka thënë se sjellja e Kurtit ndaj këtyre kategorive, është jonjerëzore dhe jokombëtare.

Në këtë takim, ai kërkoi që të njëjtit të përfshihen në projektligjin për pagën minimale.

Kritik ndaj Kurtit janë shprehur edhe organizatat e dala nga lufta, të cilët kanë thënë se kjo qeveri ka harruar rrugën e sakrificës së Kosovës.

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka deklaruar se do të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Pagën Minimale, pastaj në bazë të tij do të ndërmarrin veprime.

Ndërsa, Emin Lati nga OVL-UÇK, kërkoi nga partitë opozitare, sidomos siç e quajti ai, krahu i luftës, që të bëhen bashkë në Kuvend për të kundërshtuar Qeverinë Kurti.

Në anën tjetër, Bajram Qerkini nga Shoqata “Zëri i Prindërve”, tha se kryeministri Kurti s’ka realizuar asgjë nga ajo që ka premtuar.

Pas përfundimit të diskutimeve, kryetari i AAK-së, Haradinaj iu drejtua mediave, ku tha se do të mbrojë të drejtën e veteranëve, por jo duke shkatërruar shtetin e Kosovës.

Krahas këtyre, deputetë të AAK-së kanë paralajmëruar disa iniciativa ligjore që do t’i ndërmarrin në Kuvend, përfshirë edhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për veteranët e UÇK-së.

VIDEO: https://www.youtube.com/watch?v=ZINUFprPISM

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.