
Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të radhës të mërkurën, në të cilën nuk u lanë pa u përmendur as zhvillimet e fundit në veri të vendit. Kryeministri Albin Kurti edhe njëherë u bëri thirrje qytetarëve serbë që të mos braktisin institucionet e vendit, derisa e para e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se të prokurorët dhe gjyqtarët e dorëhequr deri më tani në veri, nuk do të mund të rikthehen më në sistemin e drejtësisë, raporton Gazeta10.
Raporti: Arbenita Ilazi
Kamera: KP
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë përsëri thirrje qytetarëve serbë që të mos bojkotojnë e braktisin institucionet e Kosovës, derisa është shprehur se sundimi i ligjit nuk është zgjedhje por detyrim.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, i pari i ekzekutivit ka thënë se presioni dhe sulmet ndaj qytetarëve në katër komunat veriore janë dëshmi se çka prodhon mungesa e sundimit të ligjit.
Kurti është shprehur se problem i qytetarëve serb nuk janë vendimet e Qeverisë së Kosovës, por sulmet me bomba, djegiet e veturave dhe shtëpive e kërcënimet që po u bëhen.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së qeverisë, ka thënë para medieve se gjyqtarët dhe prokurorët e dorëhequr në veri, nuk do të mund të kthehen sërish në sistemin e drejtësisë.
Ajo ka deklaruar se përkundër dorëheqjeve, gjykata dhe prokuroria në veri po funksionojnë dhe qytetarët po marrin shërbimet e nevojshme.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës, ka miratuar Projektligjin për Sistemin Qendror të Evidencës Penale, udhëzimin Administrativ për caktimin e Listës dhe Llojeve e Pajisjeve Ndihmëse që ofrohen falas për Personat Paraplegjik dhe Tetraplegjik, e koncept-dokumentin për buxhetimin e përgjithshëm gjinor.
Po ashtu, u aprovua vendimi për shitjen e automjeteve zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë të cilat janë të papërdorshme si dhe u shtua në Programin Legjislativ për vitin 2022, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Energjinë si nevojë e nxitur nga situatat energjetike në vend./Gazeta10.