
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur tryezë diskutimi me temën “Momentumi i ri në raportet Kosovë-Serbi”, me ç’rast pati një bashkëbisedim të hapur me përfaqësues politik, pjesëtarë të shoqërisë civile nga organizatat shqiptare e serbe si dhe me pjesëmarrës nga misionet ndërkombëtare, raporton Gazeta10.
Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se propozimi franko-gjerma është i ndarë në dy faza.
Sipas saj, faza e parë e këtij plani në të cilin mbështetje pati edhe nga ShBA-ja përmban çështje të cilat kanë mbetur të hapura, por që nuk përfshin njohjen reciproke.
Ajo nuk ka dhënë detaje nëse ky plan përmban formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, por ka konfirmuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zv.kryeministri, Besnik Bislimi kanë nisur komentet e tyre për këtë plan të cilin e kanë quajtur mjaft serioz.
“Ajo që është e rëndësishme është se përvoja politike të mëson se nuk mund të bësh gjëra të njëjta dhe të presësh përgjigje tjetër. Ne vetëm kemi ndryshim të qeverisë vetëm në Kosovë dhe në Serbi jo, pra të presësh se mund të ketë veprim tjetër, është e pamundur”, tha ajo.
“Ne po flasim për procesin se në raport me normalizimin e dy vendeve, sot janë ish krerët e shtetit që po mbahen në paraburgim, ndërsa Serbia në krah me Rusinë po shtyhet në karshi me Kosovën”, tha Kusari-Lila
“Nënshkrimi i tri marrëveshje në Berlin ishte një proces që ka marrë pak vëmendje në rajon, ndërsa për Kosovën ishte momentum i mirë. Përmbajtja e planit franko-gjerman, kishte komponenta që u pa në opinionin publik, dhe i njëjti përmban njohjen reciproke i ndarë në disa faza. Faza e parë ka anëtarësim në organizata të ndryshme por pa njohjen reciproke, dhe e dyta është që synon njohjen dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes vete”, tha Kusari-Lila.
“Largimi i serbëve nga institucionet e kemi ndjerë në Kuvend shumë më herët. Lista serbe nuk ka marrë pjesë që një kohë të gjatë në Kuvend, dhe kjo po bëhet për të ruajtur një njëri, e ai është Milan Radojçiq”, tha ajo, teksa shtoi se kjo ka qenë arsyeja e largimit të tyre nga institucionet./Gazeta10