
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka uruar Kroacinë për hyrjen e saj në Schengen dhe Eurozonë, derisa ka akuzuar Serbinë për stagnim në mendësi, raporton Gazeta10.
Lila ka thënë se suksesi i Kroacisë është model frymëzimi edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Më tej ajo ka rikujtuar se Kroacia vetëm 30 vitë më parë është sulmuar brutalisht nga Serbia.
“Me urimet më të përzemërta për Vitin e Ri, ju përgëzoj për hyrjen në zonën Euro & Shengen! Suksesi juaj në rrugën e integrimit është frymëzim dhe model për të gjitha vendet e BB! Vetëm 30 vjet më parë vendi juaj u sulmua brutalisht nga Serbia”, ka shkruar Kusari Lila në llogarinë e saj në Twitter.
Lila ka thënë se përkundër të gjitha humbjeve Serbia po vazhdon me poltikën e saj të vjetër.
“Përkundër humbjes së të gjitha luftërave në ish-Jugosllavi, sot ende qëndron prapa barrikadave në veri të Kosovës. Ju keni mundur të hiqni të gjitha kufizimet e integrimit kur Kroacia, derisa Serbia mbetet peng i mentalitetit pushtues”, ka shkruar Kusari-Lila në llogarinë e saj në Twitter. / Gazeta10