
Sot në Kuvendin e Kosovës u mbajtë seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita me kërkesë të PDK-së për të diskutuar në lidhje me arrestimin e ish Kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i cili u arrestua ditë më parë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Me akuza e kundërakuza, fyerje e përplasje mes deputetëve e ministrave të VV-së me deputetët e opozitës u karakterizua seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës.
Ajo që ra më së shumti në sy gjatë kësaj seance ishte deklarata e deputetit të PDK-së, Ferat Shala i cili iu drejtua deputetit të VV-së Armend Muja duke ia përmendur kohën kur ishte në burg si i akuzuar dhe në atë kohe Shales deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu i kishte dërguar picë dhe e kishte nxjerrë nga burgu.
“Me këtë nuk replikoj sepse kam nevojë me repliku me Bekim Haxhiun se ta ka pru picën ne stacionin e Policisë dhe të ka nxjerrë prej burgut për korrupsion” i tha Shala-Mujës.
Kjo deklaratë e deputetit Shala erdhi pas akuzava që i bëri deputeti i VV-së Armend Muja i cili ia përmendi disa familjarë Shales për të cilët thotë se janë të punësuar nëpër institucione të ndryshme të vendit.
Shala tutje para deputetevë deklaroi se Bordi dhe Qeveria bënë shkeljen e radhës duke emëruar ud. Kryeshef të KEK-ut Përparim Kabashi i cili rezulton të jetë i dyshuar për vepra penale në KEK.
Pas deputetit Shala foli deputetja e VV-së Mimoza Kusari-Lila e cila akuzoi opozitën se po mundohet të shfrytëzojë “ndikimin që kanë në prokurori”.
Ajo madje, me ironi ka deklaruar se i propozon opozitës që ta bëjë edhe një mocion në Kuvend ku Nagip Krasniqi i arrestuar të sillet në pranga para deputetëve në Kuvend.
Një tjetër debat mjaftë interesant u zhvilluar mes liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ministres Albulena Haxhiu e cila e akuzoi kreun e AAK-së, se ka kërcënuar ish-prokurorin Elez Blakaj.
Haradinaj ka deklaruar se VV-ja ka apliku një model korruptiv të lidhjeve të shkurtëra model ky i cili iu del prej kontrolli vendimarrësve në VV. Kjo sipas tij bëhet kur në borde emërohen njerëz të pushtetit të tyre.
Sipas tij Kurti nuk mund të dal kundër dostave të arrestuar prandaj del kundër prokurorisë, dhe kjo për shkak së është i shantazhuar nga dostat.
Pas deklaratës bombë që hodhi deputeti Ferat Shala, u lajmërua vetë protagonisti Bekim Haxhiu i cili sqaroi se “Po e vërtetë. I pata dërgu një picë në burg se e kishin lënë pa hangër. Por asgjë më shumë. Ia pata dërgu një picë me kërkesë të familjes së tij” ka thënë Haxhiu.
Debatin e sotëm në Kuvendin e Kosovës e ka komentuar Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj i cili ka thënë se sot pozitë e opozitë i kanë hequr maskat.
Kuvendi i Kosovës pas një pauze të shkurtër nga ora 16:30 do të vazhdojë seancën mbi debatin e thirrur nga opozita mbi arrestimin e ish kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqi. /Gazeta10/