
I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë, qëndruan sot paradite në Prishtinë dhe zhvilluan një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Pasdite u takuan në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Lajçak është deklaruar pas takimit me Vuçiqin, ku ka përsëritur se nuk ka të ardhme evropiane për Kosovën dhe Serbinë pa zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit dhe të gjitha marrëveshjeve të mëparshme.
Ai tha se përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së sot kanë pasur takime të gjata me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq dhe se të dyja takimet kanë qenë shumë të rëndësishme.
“Ne shprehëm shqetësimin për zhvillimet negative në procesin e normalizimit, që lidhet drejtpërdrejt me rrugën e Serbisë dhe Kosovës drejt BE-së”, tha Lajçak, duke theksuar se qëllimi i vizitës së “pesëshes së madhe” ishte të shihet se si të të bëjë progres konkret në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, si dhe deeskalimit të situatës në Kosovë.
“Dënojmë fuqishëm sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator. Të gjithë autorët duhet të dalin para drejtësisë dhe presim bashkëpunim të plotë nga Serbia”, vazhdoi më tej Lajçak.
Ai po ashtu ka rikujtuar se Serbia dhe Kosova kanë hyrë në një fazë të re të dialogut në shkurt dhe mars dhe se të dyja palët pritet të fillojnë të përmbushin obligimet e tyre nga marrëveshjet e reja dhe të arritura më parë.
Lajçak tha gjithashtu se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të jetë temë e takimit të krerëve të diplomacisë së BE-së të hënën, si dhe se do të diskutohet më vonë në Këshillin e BE-së.