
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak ka qëndruar në Serbi, ku është pritur në takim nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Lajçak ka thënë se ka pasur takim serioz, ku kryetema kanë qenë çështja e energjisë dhe ajo e targave. Edhe Vuçiq ka thënë se pati bisedë serioze e të përgjegjshme. Ndërkaq, vetëm pak orë para fillimit të takimit, presidenti serb ka deklaruar se vendit të tij po i bëhet presion nga perëndimi për njohjen e Kosovës.
Raporti: Arta Mustafa
Vetëm pak ditë pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Prishtinë, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak ka takuar të hënën në Beograd presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Pak detaje të këtij takimi ka dhënë Lajçak përmes një postimi në tëitter, ku ka thënë se çështja e energjisë dhe ajo e targave kanë qenë temat e diskutuara.
Edhe Vuçiq ka thënë se ka pasur një bisedë serioze e të përgjegjshme me diplomatin sllovak.
Por, pak orë para takimit me emisarin e BE-së, Vuçiq ka deklaruar se Serbisë po i kërkohet të heqë dorë nga Kosova, për të marrë atë që ai e ka cilësuar si “një dhuratë të vogël”. Presidenti serb ka thënë se ka presion të vazhdueshëm nga vendet e perëndimit për njohjen e Kosovës.
Ndërmjetësuesi i dialogut, Miroslav Lajçak ka takuar edhe kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.
Të enjten e kaluar, diplomati sllovak kishte deklaruar se me kryeministrin Kurti kanë diskutuar disa tema, përfshirë atë të shndërrimit të veturave me targa ilegale në RKS. Lajçak ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shfrytëzojnë mundësinë për marrëveshje para mbajtjes së zgjedhjeve në SHBA dhe Bashkim Evropian më 2024./Gazeta10