Lajme

Lajçak përfundon vizitën në ShBA, tregon çka bisedoi me zv.sekretarin amerikan të shtetit Richard Verma

Gazeta10
07 Janar 2025 - 18:22

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka përfunduar vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e tij atje vjen në fund të mandatit të tij si emisar.

Takimin e fundit ai e ka zhvilluar me Zëvendëssekretari amerikan të Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard Verma, të cilin e ka informuar për zhvillimet në rajon dhe procesin e dialogut.

“Përfundova vizitën time në Washington DC me një bisedë shumë të vlefshme me Richard Verma. E informova atë për zhvillimet në rajon dhe dialogun dhe theksova rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë SHBA-BE në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Lajçak, teksa ka publikuar foto nga takimi.

Lajçak është takuar mbrëmë edhe me James O’Brien dhe Aleksander Kasanof.

Ai tha se kanë pasur një diskutim gjithpërfshirës për Ballkanin Perëndimor, teksa ka shtuar se është krenar për bashkëpunimin mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara gjatë mandatit të tij.

Ndryshe, Lajçakut i përfundon mandati më 31 janar. Nga BE kanë deklaruar dje se procesi i përzgjedhjes së pasuesit të tij po zhvillohet. Dy emrat e përfolur për këtë pozitë janë Peter Sorensen, dhe ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto

Zëdhënësja e BE’së, Anitta Hipper, ka thënë do të ofrohen përditësime për zhvillimet.

“Mandati i të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, mbetet në fuqi deri në fund të janarit. Procesi i përzgjedhjes së pasuesit të tij aktualisht është duke u zhvilluar dhe ne do të ofrojmë përditësime në kohën e duhur”, ka deklaruar Hipper.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.