
Emisari special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, përmes një cicërime në Twitter ka njoftuar se e ka përfunduar qëndrimin e tij në Beograd, duke zhvilluar edhe një takim të dytë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Lajçak tha se pasi kishte dëgjuar të dyja palët, është koha që të përfundohen përgatitjet për takimin që do të zhvillohet në Ohër me 18 mars, shkruan Gazeta10.
“Kam përfunduar takimin e dytë me Aleksandar Vuçiqin, ku kam mundur të dëgjoj komentet e tij për aneksin e zbatimit dhe përparimin e mëtejshëm drejt marrëveshjes evropiane. Duke qenë se kemi marrë reagimet nga të dyja palët, tani do të përfundojmë përgatitjet tona para takimit të së shtunës në Ohër,”- ka shkruar emisari evropian.
Lajçak zhvilloi vizitën në Beograd përpara takimit që do të mbahet më 18 mars në Ohër, ku do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, për diskutimin e aneksit të zbatimit të marrëveshjes.
Emisari i BE-së ditë më parë qëndroi në vizitë edhe në Kosovë./Gazeta10