
Gazetari, Fidan Rama ka komentuar kërkesën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës drejtuar deputetëve serbë për t’u larguar nga kuvendi, ngaqë siç tha ai, ardhja e tyre në kuvend një herë në gjashtë muaj është “sjellje e patolerueshme”.
“Ky veprim nuk ka ndonjë efekt ligjor përveç që është veprim politik i z.Konjufca”, ka thënë Rama.
Rama e ka cilësuar veprimin e Konjufcës si veprim elektoral, ngaqë sipas tij, Lista Serbe do të vazhdojë t’i bëjë keqpërdorimet e njëjta dhe se veprimet e tilla nuk kanë ndonjë efekt.
“Z.Konjufca nuk ka mundur të ndalojë deputetët, pasi më vonë janë nënshkruar. Prandaj po e quaj veç veprim politik. Ka njëfarë efekti elektoral të brendshëm në raport me votën”, ka thënë Rama.
Sipas tij, Lista Serbe e ka ndjekur një procedurë të njëjtë që katër vjet dhe se caktimin e ulësve të tyre nuk mund ta bëjë Konjufca, por ligji në bazë të Kushtetutës.
“Ka katër vjet që pothuajse e ndjek procedurën e njëjtë. Cakimin e ulësve të tyre nuk e bën as kryetari Konjufca e as 1 milionë Konjufca që mund të vijnë si kryetar kuvendi, por e bën ligji”, ka thënë ai./Gazeta10/