Sport

Larne FC, kundërshtari i ardhshëm i Ballkanit

Gazeta10
20 Korrik 2023 - 12:37

I themeluar në vitin e largët, 1889, Larne është një klub që bën gara në elitën e futbollit në Irlandën e Veriut.

E renditur në vendin e 340-të në ranglistën e UEFA-s, Larne u shpall kampion i NIFL Premiership gjatë sezonit të kaluar, me ç’rast edhe filloi garat evropiane në fazën e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve.

Në këtë fazë, Larne u mposht nga skuadra kryeqytetase e Finlandës, HJK Helsinki pas vazhdimeve, kështu duke u zhvendosur në garat e Ligës së Konferencës.

E aty e pret skuadra kampione e Kosovës, Ballkani, i cili po ashtu dështoi të kalojë në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve. Therandasit u mposhtën nga Ludogorets me rezultat 4-0, kështu duke përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë, i cili ishte 2-0 në të mirë të Ballkanit.

Në përgjithësi, skuadra e Larne është paraqitur 10 herë në kualifikimet për garat evropiane.

2 herë në Ligën e Kampionëve, aty ku u eleminua nga HJK Helsinki, gjersa tetë herë tjera ka luajtur në Ligën e Konferencës, duke mos arritur të triumfojë ndaj Bala Town, AGF Aarhus, Paços de Ferreira dhe St. Joseph’s.

Për herë të parë në Evropë është paraqitur në sezonin 2021/22, duke luajtur në ndeshjet kualifikuese për kompeticionin e Ligës së Konferencës, madje duke arritur deri në turin e tretë kualifikues, për t’u mposhtur nga portugezët e Paços de Ferreira.

Vlera totale e ekipit të Larne kap shifrën e 2.83 milionë eurove, pak më e ulët krahasuar me atë të Ballkanit, e cila shkon deri në 5.45 milionë euro.

Lojtari më i vlefshëm i Larne është Leroy Millar, 27-vjeçar, i cili vlerësohet me 300 mijë euro.

Trofeu i vetëm i këtij klubi është ai i elitës së futbollit në Irlandën Veriore, e fituar në sezonin e kaluar, 2022/23.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.