
Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Rifat Latifi, ka thënë se ministria që ai drejton po synon që ta kthej trurin e ekspertizës në Kosovë, raporton Gazeta10.
Latifi ka thënë se aktualisht në Kosovë ka një pabarazi të mjekëve të shpërndarë në spitalet e Kosovës.
“Ne kemi një pabarazi të mjekëve të ekspertizës me që shumica është në Prishtinë. Kemi shumë kirurgë vaskularë ose të pediatrisë në Prishtinë dhe nuk kemi në spitale tjera”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se në vend ka edhe mjek që punojnë nga diaspora përkohësisht ose në mënyrë të përhershme.
“Kemi mjek nga diaspora që punojnë ose përkohësisht ose në mënyrë permanente”.
Ai ka folur edhe për mundësinë që mjekët të kthehen në vend.
“Sa mjek presim të kthehen nuk e dimë. Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës bashkë me ministritë tjera, ne duhet t’i koordinojmë aktivitet tona që mos t’ua bëjmë më të vështirë sesa që e kanë”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se mjekët kanë pasur problem për nostrifikimin e diplomave.
“Në takime që kam pasur me mjekët, ata kanë pasur pengesa të jashtëzakonshme për t’i nostrifikuar diplomat dhe tash kjo bëhet shumë më shpejt”.
Në fund ai ka thënë se synon kthimin e trurit në Kosovë dhe punësimin e tyre në sektorin publik.
“Synimi është që truri jonë i ekspertizës të kthehet në Kosovë. Synimi është që të gjithë të kthehen në sistemin publik, por nëse dikush do të punojë në sistemin privat, atëherë është zgjedhje e tyre”, ka thënë ai. / Gazeta10