
Pas ndëshkimeve të SHBA-së ndaj Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë që të zgjedhë maturinë politike para, siç thotë, popullizmit afatshkurtër.
Në komunikatë e tyre ata kanë thënë se Qeveria duhet të zgjedhë rrugëtimin euroatlantik të shtetit bashkë me aleatët, jo euforinë, shkruan Gazeta10.
“Arritjet historike të Kosovës, nga angazhimi ynë për liri, pavarësi e demokraci e deri te përpjekjet e deritanishme për forcimin e shtetit, kanë shenjën e koordinimit dhe ecjes së përbashkët me aleatët tanë. Devijimi nga një ecje e tillë është devijim nga vet rrugëtimi euroatlantik, siç dhe është shërbim ndaj vetë kundërshtarit të shtetit tonë. Përjashtimi i Kosovës nga ‘Defender 2023’ është hap në këtë drejtim”, thuhet në kumtesën për media.
Tutje, nga LDK-ja janë shprehur të bindur se “nuk do të lejojnë, për asnjë çmim, asnjë politikan e asnjë Qeveri, të rrezikojë themelet e shtetësisë”./Gazeta10