Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Le Monde me shkrim kritik ndaj Kurtit për Klan Kosovën: Kryeministri po akuzohet për lëvizje autoritare

Gazeta10
29 June 2023 - 18:42

Gazeta prestigjioze Le Monde e ka bërë një shkrim së fundi në lidhje me vendimin e pushtetit për t’i pezulluar certifikatën e biznesit Klan Kosovës. Çka thuhet aty?

Ky shkrim titullohet: “Në Kosovë, kryeministri Albin Kurti, akuzohet për lëvizje autoritare” dhe është përgatitur nga gazetari Jean-Baptiste Chastand.

Aty citohet gazetari Adriatik Kelmendi por edhe dikush nga Qeveria e Kosovës, derisa shpjegohet edhe rasti në fjalë.

“Klan Kosovës po i ecën koha. Kanalit të parë privat televiziv të Kosovës, që punëson 230 njerëz, mund të detyrohet të ndalojë së transmetuari së shpejti, nëse vendimi i 14 qershorit prej Ministrisë së Tregtisë për t’i hequr çertifikatën e biznesit mbahet në fuqi.” – shkruan Le Monde në këtë artikull.

Le Monde / “Le Monde” e ashpër me Kurtin: Kryeministër jofleksibil, rrezikon që të nisë konfrontim me ata që e mundësuan pavarësinë

Kelmendi citohet të ketë thënë:

“Po përballemi me një procedurë shumë të organizuar dhe shumë politike kafkeske, të shoqëruar me një fushatë akuzimesh nga mbështetësit e partisë në pushtet, pa asnjë bazë, se po marrim fonde serbe,”

“Albin Kurti dëshiron të dërgojë mesazh se mund ta shtypë secilin medium.” – citohet tutje ai.

Le Monde shkruan se masa e Qeverisë “shkaktoi tronditje në vendin që i pëlqen të paraqitet si “më demokratiku i Ballkanit Perëndimor” dhe që ruan deri më tash një peizazh mediatik me diversitet të rrallë për rajon.”

Gazeta franceze tregon edhe se si pushteti e kishte shkarkuar një anëtare të ARBK-së pasi nuk i ishte bindur vullnetit të pushtetit.

“U shkarkua me nxitim një zyrtare që mori një vendim në favor të Klan Kosovës, për ta zëvendësuar atë me një familjare të njërit prej deputetëve të partisë së Albin Kurtit.”

Këtu bëhet fjalë për Lebibe Halitin, motrën e deputetit Enver Haliti, që i zuri vendin znj. Pranvera Prestreshi.

Përgjigja e Qeverisë

Qeveria e Kosovës – raporton tutje Le Monde – se u ka thënë atyre që “është e rrezikshme të portretizohet ky rast i ligjit të biznesit si një sulm ndaj lirisë së shtypit.”

Më tej, nga Qeveria i kanë thënë që shkrimi i qyteteve kosovare me emra serb, “përforcon një rishkrim të historisë se Kosova është ende nën okupimin serb.”

Deri tash, eksponentët e VV-së nuk e kanë dhënë një arsyetim të tillë për mediat kosovare për vendimin e tyre.

Le Monde e kishte publikuar edhe më herët një shkrim mjaft kritik ndaj kryeministrit Albin Kurti të titulluar: “Albin Kurti, kryeministri jofleksibil i Kosovës.”

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.