Legjenda e futbollit të Rumanisë, Adrian Mutu, ka vlerësuar lart përfaqësuesen e Kosovës para fillimit të kampanjës kualifikuese për Evropianin që zhvillohet vitin tjetër në Gjermani.
Rumania është në Grupin I të kualifikimeve, bashkë me Kosovën, Zvicrën, Izraelin, Bjellorusinë dhe Andorrën.
Rumania nis kualifikimet në udhëtim tek Andorra më 25 mars, ndërsa tri ditë më pas e pret Bjellorusinë.
Me Kosovën, Rumania takohet në ndeshjen e tretë të fazës grupore, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, më 16 qershor.
Mutu ka dhënë një intervistë të gjatë për mediumin “Digi Sport” të enjten, ndërsa i pyetur nëse Rumania është mbi Kosovën apo Izraelin, ai vetëm ka theksuar se rumunët nuk janë favoritë.
“Jemi aty-aty. Nuk e di. Nuk mendoj se ne jemi favoritë. Kosova ka një skuadër shumë të vlefshme. I shohim se lojtarët e Kosovës luajnë në Evropë. Zakonisht ne kemi qenë mbi Izraelin dhe mendoj se edhe tani jemi”, është shprehur Mutu.
Mutu vlerësohet një prej futbollistëve më të mirë që ka pasur Rumania.
Ai për Përfaqësuesen e Rumanisë ka zhvilluar 77 ndeshje, ndërsa ka kontribuuar me 35 gola.
Sulmuesi ka bërë karrierë si lojtar në 13-të skuadra të ndryshme, në mesin e të cilave janë edhe Interi, Juventusi, Fiorentina, Chelsea, Verona e Parma. Ai u pensionua në vitin 2016.
Prejse u largua nga futbolli aktiv, ka nisur punën si trajner. Aktualisht është në krye të Rapidit të Bukureshtit, në elitën e futbollit të Rumanisë.
Me skuadrën e kryeqendrës pas 30 ndeshjeve zë vendin e pestë me 52 pikë. Ka siguruar grupin nëpërmjet të cilit mund të triumfojë në kampionat.
“Pritshmëritë e rumunëve gjithmonë janë të larta kur bëhet fjalë për përfaqësuesen. Rezultatet e viteve të fundit duhet harruar. Duhet të jemi të kujdesshëm. Ndeshjen e parë e luajmë kundër Andorrës dhe mund t’u them nga eksperienca se lojtarët e saj janë shumë agresivë. Do të kemi ndeshje shumë të fortë e të vështirë. Duhet të dalim fitues nga ato ndeshje ku ne jemi favoritë në letër. Do të jetë e vështirë për ne nëse nuk i fitojmë këto ballafaqime”, është shprehur Mutu.
Mutu ka luajtur në tri prej katër ndeshjeve të Evropianit 2000, kur Rumania shkoi deri në çerekfinale të garës kontinentale për herën e parë.
Në “Euro 2008” ai ishte shënues i golit të vetëm të Rumanisë në ndeshjen kundër Italisë.
Nga Rumania vazhdimisht ka vlerësime pozitive për përfaqësuesen e Kosovës.