
Kryetari i Lëvizja për Bashkim, Valon Murati, me një postim në Facebook ka reaguar pas takimit të gjatë të kryeministrit Albin Kurti, dhe presidentit serb Aleksandër Vuciq, pasi nuk u arrit ndonjë marrëveshje, raporton Gazeta10.
“E vetmja qasje e drejtë është bisedime politike, me reciprocitetin në qendër: çfarëdo që ofrohet dhe kërkohet për veriun e vendit, të ofrohet dhe kërkohet për Kosovën Lindore.”, tha Murati.
Ai është shprehur se deri më tani të gjitha Qeveritë kanë prodhuar drama politike në veriun e vendit duke krijuar tensione të panevojshme.
“Politika jonë, qeveritë, kryeministrat, e mbi të gjitha ky i tanishmi, do të vazhdojnë të prodhojnë drama të tilla politike në veriun e vendit, tensione të panevojshme me partnerët ndërkombëtarë, konflikte me njëri-tjetrin deri sa të heqin dorë nga politikat populiste, që votën dhe zgjedhjet e ardhshme i kanë cak.”, u shpreh Murati.
Tutje, ai është shprehur se qasja e drejtë për bisedime politike është të jetë reciprociteti në qendër.
“E vetmja qasje e drejtë është bisedime politike, me reciprocitetin në qendër: çfarëdo që ofrohet dhe kërkohet për veriun e vendit, të ofrohet dhe kërkohet për Kosovën Lindore. E ky reciprocitet, duhet të përfundojë në zgjidhjen e vetme të drejtë të konfliktit në mes të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht konfliktit shqiptaro-serb – ripërcaktimit të kufijve.”, tha ndër të tjera Murati./Gazeta10.