
Lëvizja për Bashkim ka kritikuar kryministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me mendësinë e tij, raporton Gazeta10.
Në një postim në Facebook, Lëvizja për Bashkim, e ka marrë si shembull grevën në arsim, si një moment që shpreh mendësinë qeverisëse të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
LB ka thënë se Kurti gjendet në një realitet imagjinar.
Tutje, thuhet se greva në arsim nxorri në pah lehtësinë e manipulimit të Kurtit si dhe mungesën e emaptisë ndaj shoqërisë.
Këtu keni njoftimin e plotë:
“ÇKA DËSHMOI GREVA E MËSIMDHËNËSVE?
Problemi nuk ishin paratë, ishte rezistenca!
Ajo që ndodhi me nxënësit ishte papërgjegjësi totale dhe gjëja më e tmerrshme këtu është arsyeja pse ndodhi e tërë kjo. Nuk kishte të bënte as me paratë, as me të sotmen. Kishte të bënte me mendësinë dhe të nesërmen. Kishte të bënte me realitetin imagjinar që synon ta ndërtojë Albin Kurti. Realitet, sipas të cilit, populli është qeverisësi i vërtetë, ndërsa kjo qeveri është vetëm ekzekutuese e vullnetit të popullit. Prandaj, ta kritikosh qeverinë është blasfemi, tradhti, çmenduri! Kush është kundër kësaj qeverie është kundër popullit, kundër shtetit. Kush është kundër këtij kryeministri është aleat i armiqve të popullit. Është në shërbim të Serbisë e Rusisë. Çdo kërkesë e kujtdo nuk trajtohet si kërkesë ndaj kryeministrit por si sulm kundër tij.
Në këtë sfond, grevat e pakënaqësitë e shprehura e prishin magjinë e rrëfimit. E ky është krim i madh, i pafalshëm! Prandaj luftohet deri në shkatërrim. Logjika u thotë: nëse fitojnë grevistët e sotëm, inkurajohen të nesërmit. Nëse mposhten grevistët e sotëm, nuk ka të nesërm. Bie paqja mbi vend dhe përralla e qeverisjes së popullit për popullin e vë në gjumë popullin!
Kjo grevë nxori në sipërfaqe edhe shumë gjëra tjera, si: lehtësinë me të cilën manipulon kryeministri, falsitetin e orientimi të tij ideologjik, mungesën e empatisë ndaj shoqërisë, etj., por më shqetësuesja nga të gjitha është mendësia e tij. “Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu!” – ishte parulla e tij sa ishte në opozitë. Tani e synon pikërisht të kundërtën e saj”, ka shkruar Lëvizja për Bashkim në llogarinë e saj në Facebook. / Gazeta10