Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Limaj: Hap i rëndësishëm drejt bashkimit të forcave që ndajnë të njëjtin vizion

Gazeta10
25 May 2026 - 20:18

Kryetari i NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ku është arritur pajtim për nisjen e një bashkëpunimi strategjik ndërmjet dy partive.

Limaj tha se në një periudhë të ndjeshme për vendin, qytetarët presin më shumë përgjegjësi dhe seriozitet nga politika, prandaj bashkëpunimi ndërmjet forcave politike me vlera të përbashkëta është i domosdoshëm.

“Pas bisedimeve tona, kemi arritur pajtim për të nisur një bashkëpunim strategjik politik, elektoral, qeverisës dhe organizativ ndërmjet NISMA Socialdemokrate dhe Partisë Demokratike të Kosovës”, deklaroi Limaj.

Ai konfirmoi se NISMA Socialdemokrate do ta mbështesë PDK-në dhe kandidatin e saj për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.

“Në këtë frymë, NISMA Socialdemokrate do ta mbështesë PDK-në dhe kandidatin e saj për kryeministër z. Bedri Hamza, në këto zgjedhje”, u shpreh ai.

Sipas Limajt, dy partitë janë dakorduar që në periudhën në vazhdim të ndërtojnë një proces të koordinuar bashkëpunimi dhe integrimi politik, me synim forcimin e institucioneve dhe zhvillimin e vendit.

“Ky partneritet afatgjatë do t’i shërbejë stabilitetit institucional, zhvillimit ekonomik, forcimit të shtetit dhe funksionimit më efikas të institucioneve të Republikës së Kosovës”, theksoi Limaj.

Ai shtoi se ky bashkëpunim mbështetet në vlerat shtetformuese, orientimin euroatlantik dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ky bashkëpunim mbështetet në vlerat që na kanë bashkuar gjithmonë: përgjegjësinë ndaj shtetit, orientimin euroatlantik, partneritetin e përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, respektin për luftën çlirimtare dhe rolin historik të UÇK-së në lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës”, deklaroi ai.

Limaj foli edhe për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po përballen me Gjykatën Speciale në Hagë, duke thënë se ata po mbrojnë me dinjitet luftën çlirimtare.

“Mbështetja për këtë bashkëpunim është edhe mbështetje për vlerat e luftës çlirimtare, për idealin e UÇK-së dhe për bashkëluftëtarët tanë që sot padrejtësisht po përballen me Gjykatën Speciale në Hagë”, tha Limaj.

Në fund, ai e cilësoi këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm drejt bashkimit të forcave politike që ndajnë të njëjtin vizion për të ardhmen e Kosovës dhe ndërtimin e një qeverisjeje stabile e funksionale.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.