
Raporti: Saranda Aliu
75 villat e sekuestruara në Brezovicë, Gjykata Themelore e Pejës ka marrë vendim që të lirohen. Kjo pasi e njëjta e ka hedhur poshtë kërkesën e prokurorit të rastit, Rasim Maloku, për caktimin e masës së sigurisë. Për këtë, prokurori Maloku ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit.
Këto villa në Brezovicë, të cilat u sekuestruan vitin e kaluar, mund t’iu kthehen sërish pronarëve të tyre.
Kjo, pasi Gjykata Themelore e Pejës e ka hedhur poshtë kërkesën e prokurorit të rastit, Rasim Maloku, që këtyre të fundit t’iu caktohet masa e sigurisë.
Shkak i kësaj, sipas këtij institucioni, ishte gabimi i prokurorit Maloku, i cili e dorëzoi kërkesën pas afatit të caktuar nga Gjykata.
“Gjyqtari i procedurës paraprake e hodhi si të paafatshme kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për masë të përkohshme për sigurimin e pasurisë së sekuestruar. Të njëjtat është urdhëruar që të lirohen.”
Mirëpo, prokurori i rastit, Rasim Maloku, nuk ka dashur ta komentojë vendimin e Gjykatës Themelore, porse ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit.
Ndërsa, rreth këtij vendimi kanë folur edhe avokatët, të cilët kanë treguar nëse pronarët mund t’i shfrytëzojnë vilat e tyre, pas hedhjes poshtë të kërkesës për caktim të masës së sigurisë.
Në nëntor të vitit 2022, me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, janë sekuestruar 75 villa në Brezovicë, konkretisht në zonën dy të Parkut Sharri, i cili është i destinuar vetëm për eko-turizëm e bujqësi tradicionale.
Kjo për shkak të dyshimeve të veprave penale, “keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, “Marrja e Ryshfetit”, “Dhënia e Ryshfetit” dhe “Ushtrimi i Ndikimit”.
Në listën e 75 pronave, figurojnë emrat e biznesmenëve, politikanëve, gjykatësve e qytetarëve të tjerë./Gazeta10