Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Lista Serbe e quan të motivuar politikisht dënimin e Todosijeviqit

Gazeta10
01 March 2023 - 18:28

Lista Serbe e ka cilësuar të turpshëm e të jashtëligjshëm vendimin e Gjykatës së Apelit për dënimin e anëtarit të Kryesisë së Listës Serbe, Ivan Todosijeviq.

Në reagim thuhet se dënimi i Todosijeviqit për qëndrim të shprehur publikisht “është dëshmia më e mirë në çfarë kushtesh jetojnë serbët në Kosovë e Metohi, e cila kufizohet me aparteidin nën udhëheqjen e regjimit të Albin Kurtit”.

Sipas tyre bashkësia ndërkombëtare po hesht.

“Natyrisht, për mijëra fyerje e kërcënime të shëmtuara që serbët dëgjojnë çdo ditë në këto zona, në rrugë, në media dhe institucionet publike dhe nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës që e shpallin popullin serb kriminel, vrasës, përdhunues, gjenocidal, nuk ka as procese gjyqësore, as dënime sepse sulmi ndaj serbëve padyshim është i lejuar në Kosovë dhe Metohi”, thuhet në reagim.

Sipas LS-së, ekipi ligjor i zotit Todosijeviqit e ka bërë punën e tij më shumë se profesionalisht, për të dëshmuar se liria e fjalës dhe e mendimit është e garantuar për të gjithë, madje edhe për serbin Ivan Todosijeviq.

Por sipas tyre, ky është qartë një proces politik në të cilin ligji dhe drejtësia nuk kanë asnjë shans për të fituar.

“Vetë fakti që aktgjykimi është publikuar në media dhe nuk i është dorëzuar avokatëve e as zotit Todosijeviq, thotë se ky është një aktgjykim që ka për qëllim të frikësojë popullin serb dhe të dërgojë një mesazh për të gjithë që të heshtin dhe të durojnë. Kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare, në radhë të parë Bashkimi Evropian, ambasadat e shteteve të QUINT-it, OSBE, EULEX dhe UNMIK që të reagojnë urgjentisht dhe të vënë në dukje shkeljen e të drejtave të popullit serb dhe Ivan Todosijeviq. Është detyrë e tyre të sigurojnë respektimin e të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve, madje edhe respektimin e shtetit të së drejtës, dhe përgjegjësia e tyre është edhe më e madhe të reagojnë dhe të ndalojnë këtë linç të motivuar politikisht ndaj të cilit është ekspozuar miku dhe kolegu ynë, Ivan Todosijeviq”, thuhet në reagim.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.