
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka dhënë disa detaje lidhur me kidnapimin e policëve të Kosovës nga forcat policore serbe brenda territorit të Kosovës, shkruan Gazeta10.
Kelani ka thënë se policët kanë qenë në një pikë statike që e kanë shfrytëzuar çdo herë dhe kanë vërejtur disa persona të dyshuar të maskuar e armatosur, pas kësaj janë njoftuar njësitet tjera. Por, derisa kanë arritur pjesëtarët e tjerë, policët ishin kidnapuar, në vendin e ngjarjes ishte gjetur vetëm vetura zyrtare e PK-së.
‘’Të njëjtit kanë qenë duke kryer detyra zyrtare që të parandalojnë grupet kriminale të shtijnë mallra ilegale, përfshirë edhe armatim në atë pjesë. Kjo është harta ku ka qenë njësia e policisë statike në atë pikë, në një lokacion që e mbulon që dy vite. Fillimisht njësiti policor ka parë se në atë pjesë kanë lëvizur persona të maskuar, armatosur që ishin të dyshuar, ku i kanë njoftuar njësitin special dhe njesitë e tjera. Dhe menjëherë njësitë tjera policore kanë shkuar në atë lokacion, me të arritur atje kanë vërejtur automjetin zyrtar po jo edhe tre policët.’’, ka thënë Kelani./Gazeta10