Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Llapi – Drita, kryendeshja e kësaj fundjave në Superligë

Gazeta10
05 April 2024 - 11:48

Me plotë dramë dhe emocione, Superliga e Kosovës në futboll do të vazhdojë edhe këtë fundjavë.

Xhiroja e 28-të do të ketë në përbërje disa ndeshje interesante.

Luftë e madhe do të jetë deri në fund për pozitën e parë, ato të Evropës dhe për mbijetesë, me gjitha klubet që po japin gjithçka nga vetja në këtë pjesë të sezonit.

E shtuna e 6 prillit do të ketë në program dy takime.

Në stadiumin me bari sintetik, Gjilani do të jetë nikoqir i Fushë Kosovës. Skuadra e Gentjan Mezanit hyn në këtë duel pas barazimit 1-1 me Dukagjinin.

Ndërkohë, skuadra e Burim Shalës udhëton për në Gjilan, pasi në xhiron e kaluar gjeti humbjen në Drenas nga Feronikeli ’74.

Në tri takimet mes vete të këtij edicioni, secila skuadër ka nga një fitore, teksa një ndeshje është mbyllur barazim.

Po të njejtën ditë, Malisheva do t’i bëj konak Dukagjinit të Armend Dallkut.

Të besuarit e Qendrim Kidës nuk dijnë për humbje në tri ndeshjet e fundit në Superligë, ndërsa Dukagjini që po kalon në formë të luhatshme, ka vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit.

E diela do të jetë po ashtu e zjarrtë, me tri garuesit për titull që do të luajnë ndeshjet e tyre.

Kampioni në fuqi, Ballkani do të pres në Suharekë skuadrën e Lirisë, e cila tashmë pothuajse është përshëndetur me Superligë.

Djelmoshat e Ilir Dajës janë pa fitore në tri takimet e fundit, me një humbje e dy barazime.

Pasi ndali Ballkanin me barazim xhiron e kaluar, kësaj here, Prishtina merr rrugën për në Drenas te Feronikeli ’74.

Edhe “Nikli“ i Shefki Kuqit herën e fundit në fushën e lojës mori një rezultat pozitiv, pasi triumfoi ndaj Fushë Kosovës me rezultat minimal prej 1-0.

Në tri takimet e ndërsjellta këtë edicion, Prishtina ka dy fitore, derisa një ballafaqim është mbyllur me shifra të barabarta.

Qershia mbi tortë për ditën e diel do të jetë derbi i xhiros, i cili do të zhvillohet në “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Do të luajnë vendi i parë më atë të tretin. Kanë vetëm tri pikë dallim me njëra-tjetrën.

Drita udhëton për në qytetin e Podujevës, për ta sfiduar skuadrën e Llapit që për mometin zë pozitën e parë në tabelë.

Skuadra e Tahir Batatinës në takimin e kaluar mposhti Lirinë dhe kështu arriti të pozicionohet e para.

Ndërkohë, Drita që nuk po kalon në formën më të mirë të mundshme, barazoi me Malishevën javën e kaluar me shifrat 1-1.

Në tri ndeshjet kokë më kokë këtë sezon, Drita ka dy fitore, ndërsa një ndeshje tjetër ka emrin e Llapit.

Të gjitha takimet e përmendura nisin nga ora 13:00.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.